KMDLNJ: Çdo zmbrapsje ndaj reciprocitetit dëmton Kosovën

Prishtinë | 03 Gus 2022 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) konsideron se shtyrja për një muaj e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia inkurajon strukturat paralele në veri që të testojnë vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për zbatimin e ligjit dhe reciprocitetin.

Nëpërmjet një komunikate për medie, KMDLNj-ja thekson se çdo zmbrapsje nga ky vendim vetëm sa e dëmton Kosovën duke krijuar kushte për rritje të kërkesave të Serbisë ndaj Kosovës.

“Serbët në veri të Kosovës, por edhe në vendet tjera në brendi të Kosovës me asgjë nuk janë të diskriminuar, andaj duhet të sillen si të gjithë qytetarët e Kosovës, me të drejtat dhe përgjegjësitë që iu takojnë. Kjo çka po ndodh në veri të Kosovës nuk paraqesin mosrespektim të dokumenteve kombëtare (Kushtetutës së Kosovës) dhe atyre ndërkombëtare, Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara e të Drejtave të Njeriut e as me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nga ana e Kosovës, por shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e veriut përmes kufizimit të lirisë së lëvizjes nga barrikadat dhe rrugët e bllokuara sikur edhe përdorimi i dhunës fizike ndaj qytetarëve e, që, për qëllim të fundit e ka përzënien e një numri të vogël të shqiptarëve dhe jo serbëve që jetojnë atje, përmes spastrimit etnik dhe kolonizimit”, thuhet në komunikatë.

Reagim i plotë i KMDLNj-së:

BARAZIMI I NJË TË DREJTEJE DHE DETYRIMI KUSHTETUES ME NJË NDËRHYRJE DHE REBELIM DESTABILIZUES!

Pas kërkesës së ambasadorit të SHBA-së, Hovenier, kryeministri i Kosovës mori vendim ta shtejë për 30 ditë zbatimin e masës së ligjshme dhe të drejtë të reciprocitetit me Serbinë e që ndikoi përkohësisht në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Kërkesa e ambasadorit Hovenier lehtësoi marrjen e vendimit dhe, përkohësisht i krijojë një mbulesë kryeministrit Kurti për këtë aq më parë që këtë kërkesë e mbështolli me një arsyetim se të gjitha vendimet janë marrë në koordinim me komunitetin ndërkombëtar për të cilin KMDLNj dyshon të jetë e saktë ndryshe as që do të kishte arsye të tensionohej situata. Pas këtij vendimi me të cilin pozita po e mbushë një armë kundër opozites me municion të Hovenier-it, pati reagime të shumta nga ndërkombëtarët sikur që ishte sekretari i NATO–s, Stoltenberg, ministri i Jashtëm italian dhe dyshi i burokratëve të BE-së, Borrell dhe Lajçak.

Sipas KMDLNj –së porosia ishte e mirë sepse bënte thirrje për shtensionim të situatës ndërsa përmbajtja, në fakt arsyeton inkursionin paramilitar dhe politikë të Serbisë ndaj Kosovës në përpjekje të destabilizojë situatën duke i barazuar të dyja palët, institucionet e ligjshme të Kosovës, në njërën anë dhe strukturat paralele kriminale që veprojnë në veri të Kosovës që nga përfundimi i luftës, si instrument i politikës shoviniste të Serbisë, në anën tjetër.

Komuniteti ndërkombëtar, pa asnjë dyshim e ka të qartë se me këtë barazim të përgjegjësive të dy palëve, njërës legale e që janë institucionet e Kosovës dhe tjetrës ilegale e që janë strukturat paralele dhe serbia vetëm përkohësisht e shtensionojnë situatën në ndërkohë që ajo mund të shpërthejë në përmasa të paparashikueshme më vonë nëse vërtetë nuk adresohet përgjegjësia dhe nuk ndërmerren veprime konkrete ndaj përgjegjësve, në përputhje me shkallën e përgjegjësisë. Pas një veprimi krejtësisht të drejtë dhe në përputhje me ligjet vendore dhe ndërkombëtare të institucioneve të Kosovës, reagimi i strukturave paralele kriminale në veri të Kosovës, të orkestruara 100 % nga Beogradi, u barikaduan rrugët duke penguar lirinë e lëvizjes sikur që u sulmuan me armë zjarri policët e Kosovës, qytetarët që u mbajtën peng sikur që u sulmuan gazetarët kosovarë.

KMDLNj, në bazë të informatave nga terreni, nga Q.R. e KMDLNj –së në Mitrovicë konstaton se kundërshtimi i serbëve nuk ishte i natyrës ekonomike, sociale apo të sigurisë por ekskluzivisht i natyrës politike sepse e kundërshtojnë praninë e shtetit në ato hapësira duke deklaruar haptazi se shteti i tyre është Serbia dhe se kryetar e kanë Aleksandar Vuçiqin, ideatorin dhe koordinatorin e çdo destabilizimi në atë pjesë të Kosovës. Lista Serbe, në emër të një mbrojtjeje të rremë të serbëve të Kosovës e që ka marrë pushtet me vota të dhunshme dhe duke eliminuar nga gara përfaqësuesit e vërtetë të serbëve të Kosovës është shndërruar në krahë politik të strukturave paramilitare kurse Milan Radoiçiq është përfaqësues i krahut ushtarak të këtyre strukturave. Këtë e marrin si diçka normale komuniteti ndërkombëtar andaj kemi destabilizim të riciklueshëm dhe permanent të situatës në veri të Kosovës. Serbët e veriut të Kosovës janë të privilegjuar në çdo aspekt sepse nuk paguajnë për asnjë shfrytëzim të shërbimeve ndërkaq që marrin paga nga buxheti i Kosovës, pa punuar fare ose, në të shumtën e rasteve duke punuar kundër Kosovës. Nuk janë institucionet e Kosovës ato që i shkelin të drejtat e njeriut në veri të Kosovës apo që ushtrojnë dhunë ose që e kufizojnë lirinë e lëvizjes, si të drejta elementare të njeriut. Këtë e bëjnë strukturat paralele dhe Lista Serbe duke bllokuar rrugët dhe duke ushtruar dhunë ndaj policëve të Kosovës, qytetarëve dhe gazetarëve dhe këtë e kanë shndërruar në rregull veprimi. Institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës, pa bërë asnjë dallim në baza etnike, politike, fetare, statusit në shoqëri etj. Dhe kështu edhe kanë vepruar mirëpo po pengohen nga strukturat paralele, Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare e cila për shkak të oportunitetit politikë dhe mirëmbajtjes së situatës së sigurisë po i inkurajojnë këto forca destabilizuese dhe kriminale të strukturave paralele.

KMDLNj –ë kërkon nga institucionet e Kosovës që të mos zbatojnë standarde të dyfishta në shtrirjen e forcës së ligjit përkundër presioneve ndërkombëtare dhe se, para se të koordinojnë veprimet me komunitetin ndërkombëtarë, duhet ta bëjnë koordinimin e brendshëm e jo që të thërrasin opoziten, pasi të jetë falur Bajrami!

Serbët në veri të Kosovës por edhe në vendet tjera në brendi të Kosovës me asgjë nuk janë të diskriminuar, nuk janë të rrezikuar as personalisht e as pronat e tyre, nuk raportohet dhunë në baza etnike prandaj duhet të sillen si të gjithë qytetarët e Kosovës, me të drejtat dhe përgjegjësitë që iu takojnë. Kjo shtyrje 30 ditëshe e afatit të zbatimit të reciprocitetit nuk ndikon në shtensionimin e situatës por, pa asnjë dyshim inkurajon forcat ekstremiste të strukturave paralele. Kjo shtyrje është vetëm një veprim për të testuar vendosmërinë e institucioneve të Kosovës se sa janë të gatshme të zbatojnë ligjin në përgjithësi dhe reciprocitetin, në veçanti dhe çdo zbrapsje nga ky vendim vetëm sa e dëmton Kosovën duke krijuar kushte për rritje të kërkesave të Serbisë ndaj Kosovës.

Kjo çka po ndodhë në veri të Kosovës nuk paraqesin mosrespektim të dokumenteve kombëtare (Kushtetutes së Kosovës) dhe atyre ndërkombëtare, Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara e të Drejtave të Njeriut e as me Konveneten Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nga ana e Kosovës por shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e veriut të Kosovës përmes kufizimit të lirisë së lëvizjes nga barrikadat dhe rrugët e bllokuara sikur edhe përdorimi i dhunës fizike ndaj qytetarëve e, që, për qëllim të fundit e ka përzënien e një numri  të vogël të shqiptarëve dhe joserbëve që jetojnë atje, përmes spatrimit etnik dhe kolonizimit.

Nuk është hera e parë që komuniteti ndërkombëtar përdorë standarde të dyfishta kur është në pyetje veriu i Kosovës dhe të drejtat e njeriut duke dhunuar universalitetin e këtyre të drejtave, për qëllime ekskluzivisht politike siç e bënë Stoltenberg, Borrell, Lajçak, Grenell dhe të ngjashmit!

Të ngjashme