KOMF dhe Zog & Zog nënshkruajnë marrëveshje për mbështetjen e fëmijëve të cenueshëm

Prishtinë | 16 Pri 2021 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Zog & Zog dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e fushatës pesë mujore për ngritje të fondeve për mbështetjen e fëmijëve të cenueshëm.

Kjo do të bëhet përmes ndarjes së shumës prej 0.5 cent për fëmijët, për secilin produkt të shitur të brendit Novela. Fondi i mbledhur nga fushata pesë mujore, do të dhurohet për organizatat anëtare të KOMF, për të ndihmuar në ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme dhe cilësore për fëmijët e cenueshëm.

Për më tepër, fushata parashihet të ngërthejë në vetvete promovimin e rëndësisë dhe nevojës për të ofruar shërbime cilësore e të vazhdueshme për fëmijët në nevojë dhe në të njëjtën kohë të ndikojë në rritjen e përgjegjësisë sociale të bizneseve si dhe rritjen e vetëdijesimit të opinionit të gjerë publik mbi mbështetjen që edhe vetë komuniteti mund të ofrojë për të realizuar misionin fisnik të mbrojtjes së fëmijëve.

Organizatat anëtare të KOMF ofruese të shërbimeve për fëmijët e cenueshëm, në mungesë të financimit të qëndrueshëm nga qeveria dhe komunat, po përballen vazhdimisht me sfidën e qëndrueshmërisë financiare. Në anën tjetër edhe Pandemia Covid-19 ka rënduar gjendjen e fëmijëve të cenueshëm, duke rritur numrin e rasteve të fëmijëve në nevojë për shërbime.

“Zog&Zog dhe KOMF kanë kënaqësinë që përmes kësaj fushate të kontribuojnë në mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm si dhe në rritjen vetëdijesimit të publikut për mbrojtjen e fëmijëve. Zog&Zog dhe KOMF ftojnë të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e fushatës dhe të ndihmojnë fëmijët që të kenë mirëqenie dhe zhvillim të shëndetshëm”, thuhet në komunikatën e nisur për media.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme