Komisioni shqyrton draft-rezolutën për krimet serbe, deputetët kërkojnë të quhet “për gjenocidin në Kosovë”

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 15:58 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Ad-hoc ka shqyrtuar draft-rezolutën për dënimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e ish-regjimit shtetëror serb, raporton Ekonomia Online.

Anëtarët e komisionit dhanë vërejtjet dhe sugjerimet rreth rezolutës, ndër to u theksua ndërrimi i emrit, me të cilin u pajtuan që rezoluta të bëhet vetëm për gjenocid.

Muharrem Nitaj, nga AAK-ja tha që është thelbësore që kjo rezolutë të mbajë emrin si rezolutë e gjenocidit.

“Unë kam pas një sugjerim që është thelbësor. Kosova dhe kuvendi ka miratuar edhe përpara rezoluta për krimet në Kosovë”.

“E veçanta e kësaj rezolute është e veçantë vetëm nëse mban emrin si rezolutë e gjenocidit.  Insistoj që projekt rezoluta të jetë ekskluzivisht gjenocidin dhe të mos përmbajë asgjë tjetër përveç kësaj”.

Aida Dërguti, nga PSD-ja tha se duhet të listohen vendet e masakrave dhe numri i të vrarëve gjatë luftës.

“Kam një vërejtje për vendet e masakrave. Duhet të shkojmë ku japim numrin e masakrave dhe të bëhet listimi”.

“Ose bëjmë listimin e saktë ose e bëjmë numrin e përgjithshëm të të vrarëve me numrin e saktë të vendeve”.

Armend Zemaj, nga LDK-ja u pajtua që të jenë të përfshira vendet dhe të ketë të dhëna të sakta.

Bilall Sherifi, nga Nisma tha se e gjatë punës do t’i bëjnë këto ndryshime.

“Në mandatin tonë është të gjendet edhe emri i rezolutës. Unë e mbështes që kur Kuvendit i shkojmë me rezolutën e harmonizuar t’i shkojmë me këtë emër”.

Mërgim Lushtaku, nga PDK-ja ka kërkuar që të dhënat që paraqiten të jenë të sakta dhe që të krijohet një Tribunal për krimet sebe në Kosovë.

“Pajtohem me idetë për plotësim ndryshimet e saj. Kishte qenë mirë edhe nisja e ngritjes së një tribunali ndërkombëtare. Te çështja e statistikave është mirë të jenë sa më të sakta”.

Sami Kurteshi po ashtu u pajtua që rezoluta të jetë e fokusuar në gjenocid, ndërsa mori përsipër që të ristrukturojë edhe një herë rezolutën me ndryshimet e propozuara dhe të paraqitet të martën në mbledhjen e ardhshme të komisionit.

Ata kërkuan edhe heqjen e termi “paramilitar”. Sherifi tha se krime në Kosovë nuk kanë kryer vetëm ata që kanë qenë pjesë e ushtrisë dhe policiës, raporton EO.

“Nuk mendoj që në rezolutë duhet të figurojnë forcat militare sepse ne kemi të bëjmë vetëm me forcën e Serbisë”.

“Ka pasur të tillë që nuk kanë qenë pjesë as e policisë, as e ushtrisë por ata kanë qenë pjesë e aparatit represiv shtypës të shtetit serb”.

Kuvendi me 15 prill ka miratuar me 66 vota për, formimin e komisionit Ad Hoc të propozuar nga deputeti Bilall Sherifi, për gjykimin e krimeve të luftës nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Pak ditë pasi Kryeparlamentari Kadri Veseli paralajmëroi inicimin e formimit të një Gjykate Speciale për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë, Kuvendi i Kosovës nisi procedurat ligjore për formimin e një komisioni ad-hoc i cili do të bëjë hapat konkret për të propozuar nismat ligjore për këtë çështje.

Gjatë shënimit të përvjetorit të 20-të të krimeve në Lubizhdë të Hasit, kryparlamentari Kadri Veseli deklaroi se bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë idenë e tij për formimin e Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve dhe masakrave që forcat paramilitare serbe i kanë kryetar në Kosovë.

Të ngjashme