Kompleksi “Adem Jashari” – në rrezik shkatërrimi

Prishtinë | 11 Shk 2018 | 15:35 | Nga

Mungesa e investimeve dhe dëmtimet e përditshme kanë bërë që kompleksi “Adem Jashari” në Prekaz të jetë në rrezik nga shkatërrimi. Si rezultat u inicua edhe një peticion në mënyrë që qeveria të ndërhyjë sa më shpejt për t’i shpëtuar këto kulla që dëshmojnë sakrificën e Adem Jasharit me familje, për çlirimin e Kosovës.

Anëtari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Enver Hoti, thotë për lajmi.net se përgjegjësia është e kryeministrave, ministrave, dhe drejtorëve të Agjencionit për Menaxhimin e Kompleksve Memoriale.

Ai e ka cilësuar si të papranueshme gjendjen e Kullave të Jasharajve, sidomos në prag të 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

“Në prag të 20-vjetorit të epopesë së UÇK-së kjo është e papranueshme dhe duhet të na vijë turp për gjendjen e Kullave të Jasharajve. Përgjegjësia dihet ekskluzivisht pas shpalljes së pavarësisë e këndej është e qeverisë së Kosovës, e të gjitha qeverive deri te kjo që jemi tani. Në mënyrë të veçantë e ministrive përkatëse derisa është themeluar Agjencioni për Komplekset Memoriale në vitin 2013. Faji ka adresë, ministrat, kryeministrat, drejtori i agjencionit, etj.”, ka deklaruar deputeti i Nismës për Kosovën.

Sipas Hotit, tani është koha që të ndërmerren veprime konkrete në mënyrë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt.

Ai ka kërkuar nga qeveria Haradinaj të ndërhyrjë në mënyrë urgjente, dhe t’i jap një rrugë kësaj teme.

Të ngjashme