Komuna e Drenasit thotë se janë marrë seriozisht me rastin e fundit të viktimës N.N

Prishtinë | 05 Mar 2019 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Drenasit ndjen për obligim të sqaroj opinionin, veçanërisht Institucionin e Avokatit të Popullit ne krye me Hilmi Jashari, i cili një ditë më parë, deklaroj se viktima e fundit e abuzimit N.N nuk ka marr trajtimin e duhur institucional.

Komuna e Drenasit, menjëherë pas paraqitjes së rastit në media, përmes institucioneve të veta, Qendrës për Punë Sociale dhe Psikologut Komunal, është marr me rastin dhe e ka trajtuar atë sipas detyrave zyrtare.

Me datën 07.02.2019, menaxheri i rastit, së bashku me ndihmësin, kanë vizituar familjen e viktimës dhe kanë kontaktuar me prindin dhe vëllain e viktimës, njëherit prindi i saj është deklaruar se viktima është duke u trajtuar në Prishtinë si dhe rasti gjendet në Policinë e Kosovës. Me 08.02.2019 i njëjti shërbim ka vizituar familjen e viktimës dhe ka trajtuar rastin, pastaj ka shkuar në shkollën ku ka vijuar mësimin viktima dhe se bashku më menaxheret e shkollës janë marr masat e duhura ligjore për trajtimin e viktimës. Pikërisht me këtë datë, rreth orës 11 përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë vizituar Zyrët e QPS-së dhe janë njoftuar për të gjitha rastet, si në rastin e parë ashtu edhe ne rastin e dytë dhe të gjitha aktivitetet që i kanë ndërmarr organet gjegjëse të QPS-së dhe i kanë dhënë me vete zyrtarëve përgjegjës të Avokatit të Popullit.

QPS-ja ka kërkuar ndihmë nga psikologu komunal për trajtim psiko-social me datën 08.02.2019 me shkresë zyrtare. Me datën 12.02.2019 QPS-ja ka vizituar sërish familjen dhe ka biseduar me mbrojtësin e viktimës rreth aktiviteteve dhe bashkëpunimit për t’i ndërmarr për mbrojtjen e viktimës.

Me datën 13.02.2019 QPS-ja ka takuar mbrojtësin e viktimës dhe prokurorin e rastit, ku së bashku jemi dakorduar që viktima të merr ndihmën emergjente si në aspektin mjekësor, ashtu edhe në aspektin psiko-social. Kërkesa e mbrojtësit të viktimës ishte që trajtimi psiko-social të behët nga një psikologe femër,  jo e Komunës së Drenasit, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe që është nën hetime. 

QPS-ja në Drenas, ka informuar psikologun komunal për detyrat që janë marr si dhe për punën psiko-sociale që i është caktuar një psikologe jashtë territorit të Komunës së Drenasit.

Me datën 14.02.2019, QPS-ja në Drenas ka informuar zyrtarisht me rastin, Institucionin e Avokatit të Popullit ku këtë shkresë zyrtare e ka pranuar zyrtarja e këtij institucioni.

Po ashtu familja e viktimës është ndihmuar edhe gjëra ushqimore e higjienike nga QPS-ja.

Ndaj Komuna e Drenasit, kërkon nga Institucionit të Avokatit të Popullit, që mos të qes në huti qytetarët, pasi që Komuna me institucionet gjegjëse, me kohë e ka trajtuar rastin dhe për të gjitha procedurat zyrtare e ka mbajtur të informuar edhe Institucionin e Avokatit të Popullit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme