Komuna e Prishtinës angazhon 10 mjekë dhe 25 infermierë

Prishtinë | 30 Nën 2020 | 12:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se personeli shëndetësorë është më i prekuri nga virusi Covid-19, pasi që të njëjtit në baza ditore kanë qenë në kontakt direkt me virusin, përcjell Ekonomia Online.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se për pasojë, për shkak të nevojës për shërim dhe vetë izolim, kapacitetet për të ofruar shërbime janë goditur tërë kohën dhe posaçërisht tani.

“Javën e kaluar për shkak të kërkesave në Kalabri dhe në QMFtë tjera kemi rrezikuar mbylljen e dy Qendrave të Mjekësisë Familjare. Ky edhe ka qenë rekomandimi i menaxherëve duke mos pas opsione tjera”, ka shkruar Ahmeti.

“Të premten kemi vendosur që për një periudhë afatshkurtër – 4 muaj – të angazhojmë edhe 35 persona në stafin shëndetësor – 10 mjekë e 25 infermierë. Personat janë përzgjedhur nga konkursi i fundit – ata që kanë qenë në listë të pritjes”, ka thënë ai.

Tutje, Ahmeti ka shtuar se së bashku me 40 profesionistë të pranuar me konkurs të rregullt, Prishtina është gati për t’u perballur me virusin dhe gripin sezonal.

“Është edhe një mundësi e mirë për mjeket e infermierët të papunësuar të kontribuojnë në këtë betejë duke u paguar për punën që bëjnë”, ka shtuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme