Komuna e Vushtrrisë: Ish-objekti i Gjykatës nuk përbënë trashëgimi kulturore të periudhës komuniste që duhet ruajtur

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Të dielën ka Komuna e Vushtrrisë ka filluar që ta rrënoj objektin e ish-Gjykatës Komunale, por u pengua dhe u kritikua nga aktivistë të shoqërisë civile dhe nga opozita.

Nga Komuna kanë reaguar duke thënë se janë të interesuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit më të vjetër, por që ish-objekti i Gjykatës nuk përbënë një trashëgimi kulturore të periudhës komuniste që duhet ruajtur.

Nga komuna kanë dhënë arsyetime se pse duhet rrënuar objekti i ish-Gjykatës.

Reagimi i plotë i Komunës së Vushtrrisë:

Mbi objektin e ish Gjykatës në Vushtrri

Komuna e Vushtrrisë është tepër e interesuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit më të vjetër në Kosovë, por ish objekti i Gjykatës nuk përbënë një trashëgimi kulturore të periudhës komuniste që duhet ruajtur sepse:

  1. QKRT në Mitrovicë, në vizitën e bërë në terren ish objektit të Gjykatës, gojarisht i kanë kumtuar zyrtarëve komunal që ky objekt nuk përbënë Trashëgiminë Kulturore. Zyrtarët komunal janë të gatshëm të dëshmojnë kudo në çdo kohë se ky ishte qëndrim zyrtar i QKRT Mitrovicë në vizitën në terren e mbi këtë vlerësim gojor, Komuna duke mos dashur të humb kohë të pres të njejtin vlerësim me shkrim, ka vepruar për rrënim të objektit. Tani MKRS me ndikim politik po tenton të ndërhynë në vlerësimet e QKRT Mitrovicë. Ne në proces gjyqësor do të kërkojmë deklaratë nën betim të QKRT Mitrovicë sepse ose atë ditë e kanë vënë në lajthitje institucionin e Komunës ose tani po ndryshojnë vendim sipas tekeve politike.
  2. Objekti i ish Gjykatës në vlerësim të dy ekipeve të ekspertëve është konstatuar që nuk ka qëndrueshmëri e as stabilitet ndaj përbënë rrezik për jetën e qytetarëve. Nëse MKRS politikisht e fut në listë për vlerësim të mëvonshëm, duhet urgjent të siguroj buxhet për këtë objekt që të eliminoj rrezikun për qytetarët. Mbi këto vlerësime ekspertësh, KUVENDI I KOMUNËS, jo Kryetari ka marrë vendim për rrënim të objektit.
  3. Kostot financiare për mirëmbajtje të këtij objekti janë të papërballueshme për Komunën e nuk janë paraparë as në Kornizë afatmesme buxhetore të MKRS.
  4. MKRS nuk ka shfaq asnjë interesim për objektet e trashëgimisë kulturore në Vushtrri, duke ndarë 0 € buxhet për objektet si Ura e Vjetër e Gurit, Hamami i Qytetit, Shtëpia e Shaban Agës, Shtëpia e Zejnullah Begut etj. Pra pse kjo nguti e MKRS për ish objektin e Gjykatës.
  5. Po të ishte objekt me qëndrueshmëri e i sigurtë, vet KGJK nuk do të shpenzonte mjete buxhetore e të ndërtonte një objekt të ri për Gjykatën në Vushtrri por do të vazhdonte punën në këtë objekt.
  6. Për sa i takon ruajtjes së objekteve të ndërtuara në ish regjimin komunist si objekt trashëgiminë kulturore i asaj periudhe, për qytetin e Vushtrrisë vlerësojmë se mjafton të ruhet psh objekti i Postës sepse ka kosto 0 buxhetore si për MKRS ashtu edhe për Komunën, pastaj banesat e bardha ose edhe banesat e kuqe në qendër të qytetit e që të tri këto objekte janë ndërtuar në periudhën e komunizmit. Pra janë të sigurta, kanë kosto financiare më të ulët dhe përmbushin kriterin që ju intereson juve, trashëgimi e kohës së komunizmit.

Të ngjashme