Kontradiktat për Ballkanin e Hapur

Prishtinë | 09 Qer 2022 | 10:49 | Nga Afrim Kasolli

Zhvillimet rreth “Ballkanit të Hapur” kurrë më shumë se dje nuk i shpërfaqen kontradiktat dhe paqartësitë e politikë s kosovare, qoftë të pushtetit ashtu edhe të opozitës. Treguan se ato nuk kanë ndonjë parim të qartë për t’u orientuar si duhet në raport me politikën e jashtme, apo ndonjë qëndrim të mirëmenduar dhe studiuar përballë zhvillimeve të tilla. Por se shumicën e kohës, vendimet për tema të tilla i marrin nga impresionet e çastit, atmosfera momentale e kafiterive dhe kalkulimet për përfitime populiste.

Në këtë kontekst, kryetari i PDK-së, një ditë më herët i dha mbështetje të plotë, refuzimit të qeverisë së Kosovës për të mos participuar në këtë forum rajonal. Mirëpo, dje në një studio televizive, një eksponent i lidhur me strukturat drejtuese të kësaj partie, dhe që po përflitet si kryetar i mundshëm i një dege të këtij formacioni, e kritikoi ashpër qëndrimin refuzues të qeverisë së Kosovës në raport me Ballkanin e Hapur. Madje, ai paralajmëroi pasoja serioze për vendin për shkak të këtij gabimi diplomatik.

Në anën tjetër kryetari i LDK-së, siç zakonisht dinë të struket si struci për tema të tilla, preferoi heshtjen. Asnjë fjalë s’i shpëtoi prej goje. Po ashtu janë të njëjtit, që për ta sfiduar qeverinë nuk nguruan të marrin nisma parlamentare me qëllim që ta detyrojnë ekzektuvin të marrë përgjegjësi shtetërore për ta zbatuar Marrëveshjen e Uashingtonit. E siç dihet, pikërisht në kohën kur qeveria e Kosovës drejtohej nga kjo parti, ishte nënshkruar kjo marrëveshje. Kurse, njëra nga pikat kryesore të saj e obligon Kosovën që të bëhet pjesë e Mini-Shengenit Ballkanik. Pra ta kërkosh zbatimin e këtij dokumenti në njërën anë dhe të pushtohesh nga një heshtje “mortore” në anë tjetër, pse Kosova nuk bëhet pjesë e kësaj nisme, nuk është asgjë tjetër, pos një hipokrizi e nxitur nga kalkulime populiste.

Pushteti si zakonisht e vazhdoi refrenin e tij se kjo nisë e favorizon ekonomikisht Serbinë mbi Kosovën, nuk krijon kushte për trajtim të barabartë të shtetit tonë , e rivalizon procesin e Berlinit, dhe si e tillë është një alternativë që mëton t’i zëvendësojë proceset integruese evropiane. Mirëpo, justifikime të tilla po përgënjeshtrohen çdo ditë e më shumë praktikisht.

Statistikat e fundit ekonomike, dëshmuan se Kosova edhe pa qenë pjesë e kë tij forumi tashmë është bërë një “koloni ekonomike” e Serbisë . Madje, është rritur shumë më shumë shkëmbimi i produkteve tregtare me Serbinë, sesa më Shqipërinë . Dhe atë në kohën e qeverisjes së Lëvizjes Vetë vendosje. Një paradoks i vërtetë ky.

Po ashtu edhe kryeministri Kurti nuk ka nguruar që të përkrah nisma të tilla rajonale me karakter ekonomik, që dalin jashtë kornizës së Procesit të Berlinit. Dhe që si të tilla nuk ofrojnë asnjë garanci se do ta mbronin ekonomikisht Kosovën në raport me invazionin tregtar të prodhimeve serbe. Madje zbatimin e kë saj nisme, kryeministri Kurti, nuk e kishte kushtëzuar me detyrimin e Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet. Këtë propozimi ai e kishte bërë në takimin e parë me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuiciq në Bruksel, pas rifillimit të procesit të dialogut. I pari i qeverisë pat propozuar që “gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në”. E këtu nuk duhet harruar faktin se një propozim i tillë ishte kopje e rekomandimeve që i kishte formuluar kohë më parë instituti studimor gjerman Eurpean Stability Initiative në punimin e njohur “Hamster in the Wheel – Credibilty and EU Balkan Policy”. Dhe ky think-tank gjerman, në këtë vështrim analitik, konstatonte se pasi integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor, në BE është bllokuar për arsyeje që dihen nga të gjithë , atëherë duhet gjetur opsione tjera që do ta kompensonin këtë dështim. Pra, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë me anë të kësaj formule nuk rekomandohej asgjë tjetër, pos intensifikimi i integrimeve rajonale, si zëvendësim për ato evropiane. Fakt ky që dëshmon se edhe qeveria aktuale nuk është se i ka qëndruar konsekuent vetëm procesit të Berlinit, siç po propagandon tani, apo nuk është nxitur nga nisma të tjera, që nuk janë asgjë tjetër, pos një alternativë ndaj procesit të integrimit të plotë në BE, pasi ky i fundit ndodhet në një gjendje komatoze për momentin.

Këto kundërthënie dëshmojnë, se edhe pushteti aktual, po ashtu është tunduar nga të njëjtat arsyeje që po e kritikon Ballkanin e Hapur. Kuptohet, eksponentë të tij mund të arsyetohen se ky projekt është produkt i interesave gjeopolitike ruse, ndërsa projekti i shndërrimit të CEFTA-sa në SEFTA, do të reflektonte interesat gjeopolitike të perëndimit. Diçka që duket jo shumë bindëse pas zhvillimeve të fundit. Sidomos, kur marrim parasysh investimet enorme amerikane për të kufizuar influencën politike të Rusisë në përmasa globale.

Konfuzione të tilla tashmë po dëshmojnë se politika kosovare, qoftë ne pushtet apo opozitë, as nuk e dinë pse duhet të marrë pjesë, e as pse nuk duhet të marrë pjesë në këtë projekt. Dhe kjo paqartësi nuk është e rastit. Por, rezultat i mungesës së një vizioni të qartë strategjik shtetëror, i veprimeve ad hoc e pse edhe jo i shtytjeve nga sensi i inateve personale, mosdurimit politik ndërmjet liderëve shqiptarë dhe motiveve bajraktariste. Sidoqoftë, një gjë u dëshmua, që argumentet se me këtë qëndrim mëtohet të mbrohet ekonomia e Kosovë s nga hegjemonia e mallrave serbe, po demantohen nga praktika. Korigjimi i këtij disbalanci dikur premtohej se do të bëhej me masën e reciprocitetit. Tashmë edhe ky premtim u harrua në mesin e shumë premtimeve elektorale për të vazhduar me stilin e qeverisjes thuajse asgjë s’ka ndodhur dhe vazhdojmë si zakonisht.

Të ngjashme