Kontrollohet shtëpia dhe zyra e malazezit që dyshohet se kreu krime lufte në Pejë

Prishtinë | 28 Qer 2022 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Kosovës pas një pune hetimore disamujore nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, të hënën ka arrestuar Milorad Djokoviqin, nga fshati Vitomiricë, Komuna e Pejës, i nacionalitetit malazez, shtetas i Republikës së Kosovës.

I njëjti është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, e sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Policia njoftoi se me urdhër të prokurorit dhe gjyqtarit të Departamentit Special kanë kryer kontrollin e shtëpisë së të dyshuarit dhe një zyre në fshatin Gorazhdec-Pejë, ku kanë sekuestruar katër shtëpiza të kompjuterit.

Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 07.05.1999 në regjionin e Pejës, ku dyshohet se u vranë nëntë (9) civilë të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë (5) persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë.

Në raportin 24-orësh të PK-së u tha se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Të ngjashme