Kroacia i dhuron Kosovës 20 mijë vaksina

Prishtinë | 01 Kor 2021 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Kroacia ndau të enjten 20,000 vaksina kundër koronavirusit për Kosovën.

Kryeministri i këtij vendi, Andrej Pllenkoviq, tha se sasi e njëjtë dozash do të ndahet edhe për Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kirgizinë, ndërsa për Bosnje e Hercegovinën do të ndahen 210,000.

“Në bazë të porosive tona, do të kemi doza të mjaftueshme dhe do të bëjmë edhe donacione të tjera gjatë vitit”, tha Pllenkoviq.

Tash për tash, nuk është e qartë se të cilit prodhues janë vaksinat e dhuruara.

Kroacia i ka dhuruar më herët Kosovës edhe 10,000 vaksina, të cilat janë dorëzuar në muajin qershor.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv i qytetarëve.

Imunizimi, deri më tash, është bërë me vaksina të dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bashkimi Evropian dhe shtetet individuale.

Këtë javë, në Kosovë kanë nisur të arrijnë edhe kontingjentet e para të vaksinës Pfizer/BioNTech, të parapara me kontratën që ka nënshkruar Qeveria e Kosovës me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer.

Kontrata për blerjen e mbi një milion dozave është nënshkruar në muajin maj.

Deri më tash, në Kosovë janë dhënë mbi 179,000 vaksina.

Mbi 41,000 qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza.

Të ngjashme