Kthehet dhuna në futbollin e Kosovës

Prishtinë | 19 Pri 2021 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Thesar Ismajli kaloi disa orë për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas tronditjes që pësoi gjatë një dueli me një lojtar të ekipit kundërshtar. Ismajli pësoi lëndim në ndeshjen e ndërprerë në mes të skuadrës së Ferizajt dhe Ulpianës në kuadër të Ligës së Parë – Grupi B.

Lëndimi i 20-vjeçarit u bë shkak që një shikues i Ferizajt të kaloj rrethojat e fushës me bari sintetik në Ferizaj, për ta sulmuar gjyqtarin kryesor të ndeshjes Petrit Rama.

Rama është sulmuar shkaku se kishte lejuar që ndeshja të zhvillohej, ndërsa nga vendësit, sipas drejtorit të klubit të Ferizajt, Nadir Haxhimusa, kërkohej hyrja në fushë e mjekut për t’i dhënë ndihmë lojtarit të shtrirë pa ndjenja. Sipas Haxhimusës, gjyqtari Rama nuk është sulmuar, por është shtyrë nga një person me të meta mendore.

Ndeshja u ndërpre pak minuta pa u mbyllur, te rezultati 1:0 në të mirë të Ulpianës, që synim ka këtë edicion ngritjen në Superligën e Kosovës.

Ismajli për një kohë të gjatë ka shfaqur mungesë të kujtesës, ndërsa gjendja e tij është stabilizuar me të marrë trajtimin mjekësor në Emergjencë.

Ai është liruar për në shtëpi, ndërsa dhunën e shfaqur në ndeshjen Ferizaj – Ulpiana dhe dhunën e shfaqur në dy ndeshjet të Ligës së Dytë, në mes Fushë Kosovës dhe Vjosës dhe në mes të Minatorit e Beharit, i ka dënuar ashpër Federata e Futbollit e Kosovës.

Edhe dy ndeshjet e Ligës së Dytë nuk gjetën fundit, ashtu si ajo në mes Ferizajt dhe Ulpianës. Janë këto edhe tri incidentet më të mëdha, të paktën prej atyre të publikuara, të këtij edicioni.

Incidente ka pasur edhe në të kaluarën, të rënda madje.

“Thesari pësoi lëndim tre minuta pasi hyri në fushë si zëvendësues. E pamë të gjithë që ishim aty se gjendja e Thesarit nuk ishte e mirë. Lëndimin e pësoi në portën tonë dhe ne ishim duke humbur 1:0. Nuk kishim arsye ta vononim lojën, ndërsa gjyqtari nuk lejonte hyrjen tonë për t’i dhënë ndihmë e as nuk e ndërpriste zhvillimin e lojës. Kemi hyrë të gjithë për të parë gjendjen e Thesarit që dukej se nuk po lëvizte. Është dërguar menjëherë në QKUK për trajtim dhe pas trajtimit të marrë është liruar për në shtëpi me gjendje më të mirë. Por, në fillim ka pasur humbje të kujtesës, nuk i kujtohej që ka luajtur. Ndërsa sa i përket sulmit, nuk ka pasur rrahje, por vetëm shtyrje nga një person me të meta mendore, të cilin e njohin të gjithë në Ferizaj. Ai është me dokumente i sëmurë”, ka thënë Haxhimusa të dielën për KOHËN.

Në fakt, në një videoincizimi të ndeshjen Ferizaj – Ulpiana vërehej një numër i konsiderueshëm i shikuesve në tribuna, gjë që është e ndaluar sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës si masë parandalues në luftën ndaj koronavirusit. Por, shikues vërehen thuajse në të gjitha ndeshjet e futbollist, edhe në Superligë.

Pikërisht shikuesit shkaktuan dhunë në ndeshjen e Ligës së Dytë në mes Fushë-Kosovës dhe Vjosës. Shihen edhe disa shikues që kalojnë rrethojat për të sulmuar futbollistët dhe stafin e klubit Vjosa.

“Kërcënimet dhe sjelljet jo sportive nuk mjaftuan, shikuesit u vërsulën dhe sulmuan lojtarët tanë brenda fushës ku fusha e futbollit u shndërrua arenë boksi dhe karateje.

Është për të ardhur keq, se përveç tifozëve vendës, lojtarët tanë sulmohen edhe nga përfaqësuesi zyrtar i klubit nikoqir. Andaj ne si klub detyrohemi ta tërheqim ekipin, pasi që nuk kishte kushte për zhvillimin e lojës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e klubit Vojsa të publikuar të shtunën.

Por reagim ka lëshuar edhe Fushë-Kosova, duke theksuar se Vjosa kishte udhëtuar drejt Fushë Kosovës për të mos e lejuar zhvillimin e lojës deri në fund.
“Si klub reagojmë për gjithë skemën e përgatitur nga KF Vjosa e që është për të ardhur keq. Ky klub nuk kishte për qëllim futbollin, por vetëm të ndërpres lojën në çfarëdo mënyre. Në fillim loja nuk filloi për shkak të tifozëve mysafir që ishin prezent në stadium dhe për rreth stadiumit ishin prezent rreth 30 vetura me targa 05 ku të gjithë ata persona ngritën tensione në stadium për të marrë tri pikë dhe për të ikur pa meritë nga stadiumi jonë. Policia i largoi në fillim të pjesë së parë ku më pas ata thyen derën e hyrjes së stadiumit dhe u futën në tribuna ku gjatë gjithë kohës me patën ofendime ndaj të gjithë zyrtarëve dhe sigurimit të stadiumit. Nuk fitohet kështu një ndeshje futbolli me pazare e skema të përgatitura. Në Fushë-Kosovë fitohet vetëm në fushë, prandaj është për keqardhje kjo ngjarje nga klubi mysafir”, thuhet, ndër të tjera, në reagimin e publikuar të dielën nga Fushë-Kosova.

Por, në reagimin e FFK-së thuhet se pa marrë parasysh situatën dhe rrethanat, dhuna është e papranueshme dhe se do të marrin të gjitha masat ndaj të gjithë të përfshirëve në këto skena ta pahijshme.

“U bëjmë thirrje edhe organeve të rendit dhe të drejtësisë që të veprojnë në parandalimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shfaqin dhunë në fushat e gjelbra. FFK nuk do të lejojë që disa individë të papërgjegjshëm ta dëmtojnë mbarëvajtjen e garave dhe ta prishin imazhin e mirë të futbollit tonë, të cilin e kemi krijuar me shumë mund e djersë. Njëherësh kërkojmë edhe nga zyrtarët tanë që punën e tyre ta kryejnë me profesionalizëm e përgjegjësi për çka edhe janë të thirrur, teksa nga klubet kërkojmë organizim të mirëfilltë dhe të mos lejojnë që në stadiume të ketë njerëz të tillë të pandërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Tensione pas ndeshjes pati edhe ndërmjet lojtarëve të Besës dhe Drenicës, ndeshje kjo që u luajt të premten në kuadër javës së 29-të të Superligës në futboll.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme