Kursimi i ujit i domosdoshëm, bie niveli i ujit në liqenet akumuluese

Prishtinë | 12 Mar 2019 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se niveli i ujit në liqenet akumuluese ka pësuar rënie.

Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 4 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit 4.2 metra nën kuotën maksimale.

Sipas ujësjellësit krahasuar me vitin e kaluar në të njejtën periudhë 12 mars 2018, të dyja liqenet ishin në nivelin kapërderdhës, pra mbi kuotën maksimale.

“Pothuajse nga gjysma e vitit të kaluar e deri më tash kemi mungesë të reshjeve atmosferike dhe po të mos ishte marrja e ujit nga liqeni i Ujmanit, nivelet e tanishme do të ishin dukshëm më të ultëta. Pavarësisht gjendjes së tanishme/rënies së nivelit të ujit në liqene, ne kemi edhe plane konkrete për menaxhimin e thatësirës dhe në varshmëri të niveleve parashikohen edhe hapat që duhet te merren për menaxhimin e situatave në akumulacione dhe burime nëntokësore në vitet me thatësira që vijnë si rezultat i ndryshimeve klimatike në tokë”.

Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të kursejnë ujin.

– Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,
– Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,
– Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet,
– Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,
– Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët,
– Mos vadisni lulet, kopshtet dhe arat,
– Paguani rregullisht ujin që konsumoni,
– Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,
– Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.
– Ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji, andaj kurseje atë.

Nëse i përmbahemi në përpikmëri këtyre këshillave të lehta , duke filluar nga koha e tashme, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” do ta furnizojë me ujë të pijshëm secilin konsumatorë në mënyrë të barabartë dhe pa reduktime.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme