Kurti priti në takim Presidentin e Universitetit Amerikan në Kosovë, Kamal Shahrabi

Prishtinë | 28 Shk 2020 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur sot në takim Presidentin e R.I.T Kosova të Universitetit Amerikan në Kosovë, z. Kamal Shahrabi.

Shahrabi e uroi kryeministrin Kurti për detyrën e re, dhe shprehu interesim për punë të përbashkët për zhvillimin e vendit, veçanërisht në ngritjen e edukimit cilësor. Ai tha se Kosova ka një potencial të madh për zhvillim dhe se R.I.T AUK do të bëjë përpjekje të vazhdueshme bashkërendimi me Qeverinë e re dhe misionin e saj për zhvillimin e një shoqërie të edukuar mirë e me ekspertizë të re.

Kryeministri Kurti e falënderoi z. Shahrabi për punën e deritanishme të stafit akademik të R.I.T AUK dhe e njoftoi atë me prioritetet e qeverisë së re. Ai tha se krahas sundimit të ligjit, drejtësisë dhe antikorrupsionit që do e kthente besimin e qytetarëve në institucione, Qeveria e re për prioritet ka edhe ngritjen e cilësisë së arsimit nëpërmjet sistemit dual arsimor që do ta bëjë urëzimin e hendekut të shkathtësive duke e lidhur sistemin arsimor me tregun e punës. Kështu do të zvogëlohej barra e bizneseve dhe do të lehtësohej punësimi i të rinjve dhe grave që e synojmë si qeveri, tha Kurti. 

Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti dhe z. Shahrabi u dakorduan ta shtojnë bashkëpunimin drejt projekteve konkrete që e ngrisin cilësinë në arsim. 

Të ngjashme