Lajçak përpiqet në Prishtinë dhe Beograd për një takim Kurti-Vuçiq

Prishtinë | 17 Sht 2021 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

I dërguari i BE në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po viziton Kosovën. Qëllimi i tij është caktimi i një date për takimin e radhës ndërmjet palëve, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po qëndron në Kosovë në një vizitë tre ditore, në përpjekje për të përafruar qëndrimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat në takimin e fundit, siç tha vetë Lajçaku, ishin shumë larg. Pas një takimi që zhvilloi mbrëmë vonë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ky i fundit i tha Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun  se “Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë në bisedime”.

“Duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, ka thënë Kurti gjatë takimit me Lajçakun. Në takim është diskutuar edhe për mbarëvajtjen dhe hapat e ardhshëm në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk u dhanë detaje të tjera. Edhe Miroslav Lajçaku, pas përfundimit të takimit me kryeministrin tha se “është biseduar për dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, por jo edhe për çështjen e hapjes së arkivave nga ana e Kosovës dhe Serbisë”, temë kjo që ka nxitur reagime të shumta, që nga përfundimi i bisedimeve të fundit në nivel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 8 shtator”.

Miroslav Lajçak  pas këtij takimi të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit kur është pyetur për Kosovën,  ka thënë se dialogu me Serbinë “i ka sjellë Kosovës shumë përfitime”. “Përmes këtij dialogu Kosova ka kontrollin në të gjithë territorin dhe kufijtë e saj, pastaj ka fituar kodin telefonik +383 dhe prezantim si palë e barabartë në nisma rajonale. Dua të them se nuk ka asgjë si dialog teknik, nuk ka çështje teknike, çdo gjë është shumë politike. Dëgjova kryenegociatorët në Bruksel, diskutuam për shumë orë gjatë dy ditëve, nuk kishte asnjë gjë teknike, çdo gjë ka ndikim politik. Dialogu është politik”, pati thënë Lajçaku.

Kurti: fati i të pagjeturve duhet të zbardhet

Albin Kurti dhe Miroslav Lajcak (02.03.2021)

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç është mbajtur më 19 korrik, por pa arritur ndonjë rezultat. Ndërsa në takimin e grupeve negociatore Kosovë-Serbi që u takuan në Bruksel më 9 shtator, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që udhëheq delegacionin e Prishtinës tha se “pala serbe ka deklaruar se janë të pajtimit që të hapen arkivat e saj në Serbi, por që edhe pala e Kosovës t’i hapë arkivat shtetërore “që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. Kryeministri Albin Kurti deklaroi lidhur me këtë se “autoritetet e Kosovës  janë të hapura dhe transparente dhe fati i të pagjeturve duhet të zbardhet”.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë, të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jemi shumë transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të  pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd, sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serbë, por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuar, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, tha Kurti.

Ndaj deklaratave të zyrtarëve të lartë të qeverisë kanë reaguar partitë opozitare, të cilat deklaratat e tilla i kanë cilësuar si “deklarata të dëmshme dhe të gabuara”. Nga ana tjetër autoritetet e Serbisë deri tash nuk kanë folur publikisht lidhur me pajtimin e pretenduar të Prishtinës zyrtare për hapjen e arkivave me qëllim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të takohet gjatë qëndrimit në Kosovë edhe me përfaqësues të partive politike nga pozita dhe opozita. Lajçaku nga Kosova udhëton për në Beograd. Kjo vizitë e tij në të dyja vendet, në mediet e këtushme po interpretohet si përpjekje për ta realizuar edhe një takim të nivelit të lartë politik Kurti-Vuçiç, gjë që për palën kosovare duket larg.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme