Ministrja Hoxha fton bashkatdhetarët me të drejtë vote në BE, të votojnë për Parlamentin Evropian

Prishtinë | 23 Maj 2019 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka ftuar bashkatdhetarët në vendet e Bashkimit Evropian me të drejtë vote, të dalin dhe votojnë partitë e preferuara për Parlamentin Evropian.

Ministrja Hoxha ka potencuar se “ju e begatoni jetën në shtetin ku jetoni në BE, andaj, dilni e votoni për vlerat për të cilat edhe ne si Republikë e Kosovës përpiqemi dhe angazhohemi…duke çmuar e promovuar dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut”.

Ja postimi i Ministres Hoxha në rrjetin social:

Sot e deri më 26 Maj 2019, mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Ftoj të gjithë bashkatdhetarët, me të drejtë vote të dilni e votoni!

Ju keni gjetur mikpritje, të bazuar mbi vlerat më të çmuara të BE-së, të qëllimeve të saj, si: forcimi i paqes, sigurimi dhe garantimi i lirisë, zhvillim të balansuar, kundër përjashtimit dhe diskriminimit, promovimi i shkencës dhe dijes, solidaritetin dhe zhvillimin ekonomik, respektimi i dallimeve kulturore e gjuhësore si dhe unifikimin monetar.

Dilni dhe votoni, sepse ju e begatoni jetën në shtetin ku jetoni në BE, andaj, dilni e votoni për vlerat për të cilat edhe ne si Republikë e Kosovës përpiqemi dhe angazhohemi, që të bëhemi pjesë e këtyre vlerave, duke çmuar e promovuar dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Mbi këto vlera, ju jeni të lumtur me vlerat e BE-së, rikonfirmoni praninë tuaj në shtetin mikpritës, duke votuar, për vete, fëmijët Tuaj dhe Kosovën brenda vlerave evropiane!

Të ngjashme