Ndahen 150 mijë euro për Deçanin, Vitia: Një numër i mostrave të të helmuarve do të dërgohen jashtë vendit

Prishtinë | 14 Kor 2021 | 15:45 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Janë ndarë 150 mijë eurove për euro për trajtimin dhe rregullimin e ujësjellësit për fshatrat në komunën e Deçanit. Në mbledhjen e Qeverisë u tha se një numër i mostrave të qytetarëve të helmuar në këtë komunë do të dërgohen jashtë vendit, raporton Ekonomia Online.

Udhëheqësi i mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se të gjitha institucionet përgjegjëse janë mobilizuar për t’iu dal në ndihmë qytetarëve të Deçanit.

“Lidhur me rastin e komunës së Deçanit bashkëndjejmë helmimin e qytetarëve dhe dje atje ishin edhe ministrat Gërvalla, Vitia e Mehaj. Kemi siguruar resurset e nevojshme për Qëndron e Mjekësisë Familjare. Gjatë fundjavës janë mobilizuar të gjitha ekipet për katër ditë me radhë. IKShPK-ja vazhdon hulumtimin kë terren. Nga barnatorja e QKUK ka shkuar një kontingjent i barnave për Deçan”.

“Policia e Kosovës është në mbështetje me të njësitë. FSK ka vendosur njësi dhe kapacitete për materie të rrezikshme”.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se do ta procedojnë shumë shpejtë kërkesën për ndarjen e mjeteve për Deçan.

“Kemi pasë kërkesë që të ndajmë mjete dhe besoj që shumë shpejt do ta procedojmë”.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se disa analiza janë dërguar jashtë vendit.

“Me të bërë listën me materiale për nevojat e pacientëve të prekur menjëherë kemi reaguar. Një pjesë është dërguar dje dhe do të vazhdojmë më dërgime tjera sipas nevojës. Janë bërë disa analiza shtesë dhe janë dalë negative për virozë, kurse disa të tjera të marra sot janë dërguar jashtë vendit për identifikim”.

“Jemi në kontakt me krye e komunës dhe sot ka fluks më të ulët”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla, tha se policia është mobilizuar menjëherë në momentin që ka marr informaione për të helmuarit.

“Qysh në momentin e parë policia në Deçan është koordinuar me prokurorinë në Pejës dhe është iniciuar si rast. Në vazhdimësi ne jemi mobilizuar për të asistuar policinë për zbulimin e shkaktarëve”.

Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se kanë ndarë 150 mijë euro për trajtimin dhe rregullimin e ujësjellësit për fshatrat në komunën e Deçanit.

Të gjitha vendimet që u morën në mbedhjen e Qeverisë:

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar dokumente dhe politika nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Duke shqyrtuar dhe vlerësuar gjendjen emergjente të krijuar pas helmimeve në Komunën e Deçanit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë 150 mijë euro për financimin e projektit për trajtimin dhe rregullimin e sistemit të ujësjellësit. Vendimi obligon Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Komunën e Deçanit për ekzekutimin e këtij vendimi.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar 5 projektligje:

  1. Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit Nr.1 të marrëveshjes së lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë hungareze në lidhje me programin kornizë për bashkëpunim financiar;
  2. Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale;
  3. Projektligjin për të drejtën ndërkombëtare private;
  4. Projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja; dhe
  5. Projektligjin për mbeturina nga industritë nxjerrëse të mineraleve.

Në vijim është miratuar edhe Udhëzimi administrativ për rregullat dhe normat e shkarkimeve në ajër nga burimet e palëvizshme të ndotjes i cili ka për qëllim që të përcaktojë:

  • Intervalet, metodat, kushtet për monitorimin periodik dhe të vazhdueshëm të emisioneve të ndotësve në ajër, sipas matjes dhe llogaritjes si dhe mënyrën e vlerësimit të rezultateve të monitorimit;
  • Vlerat e përgjithshme kufitare të emisioneve, vlerat kufitare specifike të emisioneve, mënyrën e llogaritjes së kufijve të emisioneve dhe kërkesat teknike për funksionimin e burimeve të palëvizshme dhe metodën e vlerësimit të pajtueshmërisë;
  • Kërkesat lidhur me zvogëlimin e emisioneve të Komponimeve Organike të Avullueshme nga impiantet që përdorin tretës organik si dhe gjatë ruajtjes dhe distribuimit të benzinës; si dhe
  • Kërkesën për raportimin e emisioneve nga operatorët e burimeve të palëvizshme.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2021-2025. Programi ka për qëllim që të përcaktojë masat dhe prioritetet e institucioneve për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Objektiv i programit është që të mundësojë përmbushjen e detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët e përzgjedhur për kryetar dhe anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe të kandidatëve për pozitën e kryesuesit dhe dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energjinë.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje të Qeverisë, z.Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, është emëruar njëkohësisht edhe në pozitën e kryetarit të delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, nën kryesimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Me dy vendime të miratuara nga Qeveria e Kosovës i është propozuar Presidentes së Republikës së Kosovës dhënia e autorizimeve për zëvendëskryeministrin e parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog për nënshkrimin e Amandamentimit Nr.1 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2016 dhe për autorizimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – financim shtesë” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Miratimin e Qeverisë, në mbledhje, e ka marrë edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare për amandamentimin e Marrëveshjes së grantit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për projektin “Mbështetja e BE-së për disponueshmërinë dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Pakon për Ringjalljen Ekonomike, që është faza e dytë e adresimit të vështirësive të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Kjo pako me masat e propozuara mund të kontribuojë në arritjen e katër synimeve:

  • Punësimin dhe formalizmin e ekonomisë, me fokus parësorë në fuqizimin e gruas dhe të të rinjve në ekonomi;
  • Përmirësimi i strukturës së përbërjes të të ardhurave përmes favorizimit të sektorëve të caktuar ekonomik, sidomos në sferën e prodhimit dhe të përmirësimit të bilancit tregtar të vendit;
  • Rritja e balancuar dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, duke u përkujdesur që kjo rritje të shoqërohet edhe me përmirësimin e indikatorëve kyç të mirëqenies;
  • Ruajtja e qëndrueshmërisë afatgjate dhe minimizimi i rreziqeve fiskale të vendit duke mbajtur nën kontroll borxhin publik dhe koordinimin me donatorët.

Shuma e përgjithshme e Pakos së Ringjalljes Ekonomike është 420 milionë euro, ku financimi nga buxheti është 190 milionë euro ndërsa 230 milionë euro do të jenë financime nga huamarrja.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për hartimin e Programit të Reformave Ekonomike 2022-2024, si pjesë të dialogut me Bashkimin Evropian. Programi do të bazohet në kornizën makro-fiskale dhe është pjesë e Programit të Qeverisë 2021-2023.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për plotësim-ndryshimin e vendimit për ndalimin e procedurave të blerjes së automjeteve zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në vartësi të tyre. Me plotësimin dhe ndryshimin e këtij vendimi, Doganat e Kosovës nuk do të ju nënshtrohen kufizimeve të këtij vendimi.

Katër milionë euro i ka ndarë Qeveria nga mjetet buxhetore për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për blerjen e librave. Këto mjete merren nga rimëkëmbja ekonomike dhe transferohen ne Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ndërsa 4.5 milionë, me një vendim tjetër të aprovuar në mbledhje, janë ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes për blerjen e dronëve.

Me plotësim-ndryshimin e vendimit për zgjatjen e afatit të mbylljes së avansit me UNOPS, në emër dhe për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë, që është aprovuar sot në mbledhjen e Qeverisë, është shtyrë afati i mbylljes së këtij avansi deri në datën 30.09.2021.

Masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 të miratuara në këtë mbledhje mund t’i gjeni në dokumentin e bashkëngjitur.

Në mbledhjen e Qeverisë është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë një milion e treqind e njëmijë e njëqind e nëntëdhjetë e tetë euro (1,301,198.39). Këto mjete do të përdoren për kompensimin e dëmeve natyrore në bujqësi për periudhën korrik-dhjetor 2020, në komunat; Istog, Pejë, Obiliq, Viti, Kaçanik, Gjakovë, Gjilan, Lipjan, Rahovec, Drenas, Junik, Hani i Elezit, Skenderaj, Shtime, Graqanicë, Podujevë, Malishevë, Deçan, Ferizaj dhe Suharekë.

Edhe dy propozime të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për themelimin e Task Forcës për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve në Kosovë dhe Task Forcës për mbrojtjen e tokës bujqësore nga ndërtimet e paplanifikuara dhe degradimit të saj, janë miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme.
Task Forca për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve në Kosovë do të udhëhiqet nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa në përbërje do të jenë edhe:

  1. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës;
  2. Ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë;
  3. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal;
  4. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve;
  5. Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencionit Pyjor të Kosovës;
  6. Policia e Kosovës;
  7. Këshilli Gjyqësor i Kosovës;
  8. Këshilli Prokurorial i Kosovës;
  9. Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave;
  10. Asociacioni i Komunave të Kosovës;
  11. Shoqata e Pronarëve të Pyjeve Private;
  12. Shoqata e Përpunuesve të Drurit.
    Ndërsa Task Forca për mbrojtjen e tokës bujqësore nga ndërtimet e paplanifikuara dhe degradimit të saj, do të koordinohet dhe udhëhiqet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe do të përbëhet edhe me përfaqësues nga;
  13. Zyra e Kryeministrit;
  14. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës;
  15. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal;
  16. Ministria e Drejtësisë;
  17. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve; dhe
  18. Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria ka emëruar bordet e përkohshme në Ndërmarrjen Publike Qendrore “KRU Gjakova SH.A. dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” SH.A.
Në “KRU Gjakova” janë emëruar:

  1. Urim Gashi, kryesues;
  2. Mevlyde Kelmendi Begolli, anëtare;
  3. Atdhetare Kelmendi, anëtare;
  4. Islam Hasani, anëtar.

Në KRU “Mitrovica” SH.A. janë emëruar:

  1. Zijadin Lutolli, kryesues;
  2. Teuta Ukshini Aliu, anëtare;
  3. Kumrije Kelmendi Aliu, anëtare;
  4. Fadil Berisha, anëtar.

Dy vendime Qeveria i ka miratuar me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Me vendimin e parë do t’i kërkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës që të themelojë institucionin e Operës së Kosovës si institucion të shërbimit publik, ndërsa me vendimin e dytë, për herë të parë në nivel shtetëror është emëruar Komisioni Shtetëror për hulumtimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.

Qeveria ka miratuar nismat për dy marrëveshjet ndërkombëtare të propozuara nga Ministria e Drejtësisë. Nisma për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare me Qeverinë e Danimarkës për transferimin e personave të dënuar dhe Nisma për Marrëveshjen Ndërkombëtare me Qeverinë e Danimarkës për bashkëpunim në fushën e drejtësisë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme