Nga Ambasada e ShBA-së në Beograd flasin pasi Vuçiq s’respekton Marrëveshjen e Washingtonit

Prishtinë | 03 Kor 2021 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Serbia nuk ka respektuar afatin kohor në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit për zhvendosjen e Ambasadës së Serbisë nga Tel Aviv në Jerusalem. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka lënë të kuptohet se nuk do ta ndërmarrin një veprim të tillë, meqë thotë se interesat e Serbisë kanë ndryshuar në momentin që Izraeli ka vendosur ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë çështje për Gazetën Express kanë folur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd. Amerikanët thonë se besojnë që partnerët do të vazhdojnë të respektojnë zotimet e bëra në Washington.

“Ne shpresojmë që partnerët tonë do të veprojnë në mirëbesim dhe do të vazhdojnë të respektojnë zotimet e bëra në Washington”, kanë thënë nga Ambasada e SHBA-së në Beograd për Gazetën Express përmes një përgjigje në e-mail.

Vuçiq më 1 korrik të këtij viti, kur ishte edhe dita e fundit e afatit të Marrëveshjes së Washingtonit, kishte thënë se Izraeli s’mund të presë që Serbia ta zhvendosë Ambasadën në Jerusalem pasi shteti izraelit e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.

“Mos u shqetësoni për pozitën e Serbisë. Ne do të veprojmë në pajtim me ligjin ndërkombëtar, por edhe me interesin e Serbisë, dhe këto interesa kanë ndryshuar që kur Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ne respektojmë miqësinë me Izraelin, por respektojmë dhe vetveten. Ju s’mund të na thoni, që ne kemi njohur pavarësinë e një pjese të territorit tuaj, dhe ju vazhdoni sepse jeni nën presion nga ata që na kanë bërë presion neve, bëjeni të njëjtën”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq edhe më 4 shtator gjatë kohës kur Donald Trumpo po fliste rreth marrëveshjes për zhvendosjen e Ambasadave, kishte shikuar me habi letrën e marrëveshjes dhe kishte kthyer kokën mbrapa kah Marko Gjuriq, duke lënë përshtypjen se nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte.

Administrata e Joe Biden edhe zyrtarisht ka konstatuar se Marrëveshja e Washingtonit duhet të jetë rruga përpara për bashkëpunim derisa ka kërkuar nga Kosova e Serbia që të respektojnë zotimet e bëra në Washington më 4 shtator, nën ndërmjetësimin e ish-presidentit Donald Trump.

Kosova e përfaqësuar nga Avdullah Hoti dhe Serbia nga Aleksander Vuçiq kishin nënshkruar një numër zotimesh që kryesisht ndërlidhen me zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve, që do të ndihmohej nga ShBA-ja.

Të ngjashme