Nuk i jepet licencë laboratorit “Avicena”, pronari ishte arrestur, derisa dërgonte teste të kosovarëve në Maqedoni

Prishtinë | 10 Gus 2020 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur sot se 29 institucione private janë licencuar për të kryer teste për COVID-19. Bordi ka shqyrtuar 34 aplikacione të institucioneve private shëndetësore lidhur me testime molekulare dhe serologjike, dhe ka licencuar 29, shkruan Reporteri.net.

Por në listën e publikuar mungon emri i laboratorit “Avi Cena” në lagjen Arbëria (ish-Dragodan) në Prishtinë i cili deri më tani i ka marrë mostrat e qytetarëve të Kosovës dhe i ka dërguar në Maqedoni, për të kryer testime.

E pikërisht për këtë veprim njëri prej pronarëve të këtij laboratori, Driton Shuki, është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Shuki është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Han të Elezit nën dyshimin se ka bartur mostra dhe rezultate të testeve, shkruan Reporteri.net.

Gjatë kontrollit atij Policia e Kosovës i pati gjetur një listë me emrat e 50 qytetarëve ku figuronin edhe rezultatet e testeve për COVID-19.

Laboratorët nuk kanë pranuar asnjëherë se kryejnë shërbime të tilla, por qytetarë kishin paguar 120 euro për të bërë një test që ta kuptonte nëse është i prekur nga COVID-19.

Deri më sot testet janë kryer vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

Nëpër grupe të ndryshme në rrjetin social Facebook, qytetarët vazhdimisht kanë kërkuar rekomandime për institucionet që kryejnë testime me metodën PCR. Ditëve të kaluara shumë persona kanë shkruar publikisht se kishin kryer teste të tilla në laboratorë privatë.

Një numër i madh i komentueseve kanë rrëfyer se si kishin paguar nga 50 deri në 120 euro për teste, me të cilat nuk janë lejuar të kalojnë kufirin me Maqedoninë e Veriut e as me Malin e Zi.

Në grupin “Network Prishtina” në Facebook, që ka mbi 28 mijë anëtarë, qytetarët ende vazhdojnë të tregojnë vendet se ku kanë kryer testimet.

Kujtojmë që, kosovarët e kanë të pamundur që të udhëtojnë edhe drejt shteteve të rajonit si në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi pa pasur një dokument që dëshmon se kanë rezultuar negativ në testin për COVID-19.

Të ngjashme