Opozita do ta çojë Thaçin në Kushtetuese, për përbërjen e KQZ-së

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 20:07 | Nga Ekonomia Online

Që nga shtatori i 2018-s, Kuvendi i Kosovës i ka 119 deputetë, e jo 120, sa është e përcaktuar me Kushtetutë.

Pas dorëheqjes së deputetit të PDK-së, Nezir Çoçaj, deputeti që pret në radhë për betim nuk po mund ta zërë ulësen e tij për shkak të bllokadës në KQZ.

Për këtë institucion që prej një viti ka mbetur i bllokuar, akuza të ashpra i janë drejtuar presidentit Hashim Thaçi, në seancën e jashtëzakonshme që opozita e thirri për këtë çështje, raporton KTV.

Aty u tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën kur ka tentuar që t’u sigurojë vend në KQZ grupeve parlamentare që u formuan pas zgjedhjeve.

Përplasjet më të mëdha u bënë mes Vetëvendosjes, PSD-së e Nismës.

Aty u paralajmërua se, për këtë çështje, presidenti shpejt do të përfundojë në Kushtetuese.

Gjatë gjithë seancës u shfaq papajtueshmëria e deputetëve të partive në pushtet me rezolutën e propozuar nga opozita, e cila kishte vetëm një pikë, ku thuhej se “Kuvendi kërkon që dekretimi i anëtarëve të KQZ-së të bëhet pa vonesë sipas Kushtetutës, Ligjit për Zgjedhje e aktgjykimit të Kushtetueses të 26 gushtit, 2014.

Por, megjithatë, në fund, në mungesë kuorumi kjo rezolutë nuk u hodh fare në votim.

Kjo dhe ajo e së martës për shpenzimet e qeverisë për pavarësi, pritet të dalin në votim kur në sallë plenare ka numër të mjaftueshëm deputetësh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme