Organizatat studentore zotohen për monitorim të procesit mësimor nëpër njësitë akademike

Prishtinë | 07 Qer 2018 | 17:03 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë ditës së sotme është bërë konstituimi i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, ku janë zgjedhur organet e reja.

Kryetari i ri i këtij parlamenti, Arben Elshani nga organizata studentore “Reforma”, i cili ka dalë fitues në zgjedhjet studentore të mbajtura më 15 maj, ka thënë se gjatë mandatit të tyre 2-vjeçar do të jenë zëri i studentëve dhe do të përfaqësojnë interesat e tyre në mënyrën më të mirë.

“Reforma” është në koalicion me organizatat e tjera studentore “USPE”, “SKV” dhe “Paqja Studentore”.

“Ne do të jemi në bashkëpunim me organizatat tjera që janë partnerë të koalicionit dhe do të qeverisim me Parlamentin gjatë dy viteve të ardhshme. Parlamenti Studentor është përfaqësim i të drejtave studentore, që bën aktivitete për studentët. Kemi për detyrë të kontribuojmë në zhvillimin e kushteve në fakultete të ndryshme”, ka thënë Elshani në një prononcim për Ekonomia Online.

“Do të jemi dy vite zëri i studentëve, prej fillimit të mandatit do të ketë vërtetë reforma në universitet, jemi për reforma dhe besoj që ky koalicion do të jetë për përfaqësimin e interesave studentore në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Kryetari i ri Elshani ka thënë për EO se do të monitorojnë procesin mësimor nëpër njësitë akademike dhe të kontribuojmë për ngritjen e cilësisë dhe zhvillimit në universitet.

“Me këto organizata do të udhëheqim së bashku me një bashkëpunim të ndërsjellë dhe kemi gjetur gjuhë të përbashkët edhe në planprogramin që e kemi. Ne i përfaqësojmë  studentët edhe në shumicën e Këshillave të Fakulteteve, do të bashkëpunojmë me secilin Këshill në mënyrë që përmes Parlamentit ne të monitorojmë procesin mësimor nëpër njësitë akademike dhe të kontribuojmë për ngritjen e cilësisë dhe zhvillimit në universitet”.

Të ngjashme