Paqartësi rreth vaksinimit – Sejdiu: Organizimi i dobët shkak i hezitimit të mjekëve

Prishtinë | 08 Pri 2021 | 10:30 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mosvaksinimi masiv i mjekëve në vend ka ardhur si pasojë e një organizimi të dobët institucional, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, kreu i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

Ai poashtu ka pohuar se ka një hezitim të stafit shëndetësor për t’u vaksinuar për shkak të paqartësive rreth këtij procesi.

“Është pritur një numër më masiv i vaksinimi, kjo ka qenë pak surprizë dhe janë disa faktorë aty. Një organizimi i dobët sidomos në QKUK, nuk ka pasur një organizim të mirëfilltë institucional apo organizim kur do të dihej se në cilën ditë, cila klinikë, në çfarë ore, një vaksinim i organizuar”.

“Vetëm në dy ditët e fundit flasim të shtunën, dielën e të hënën kanë filluar më në fund që punëtorët shëndetësor me vetiniciativë kanë shkuar dhe janë vaksinuar dhe nuk kanë pritur drejtorët dhe udhëheqësit e tjerë që t’i organizojnë”, është shprehur ai.

“Ana tjetër kanë qenë mjaftë çështje të cilat kanë dalë pyetje e paqartësi rreth ata të cilët kanë kaluar infeksionin se a duhet të vaksinohen, pyetje tjetër ka qenë e shpeshtë që e ka zvogëluar këtë numër jo refuzuar, por kërkim sqarimesh dhe në këtë rast është dashtë që IKShPK-ja të jap përgjigje se pas sa kohe të negativizimit do të duhej të merrej vaksina apo niveli i anti-trupave sa do të duhej të jetë”.

“Këto kanë bërë që të hezitojnë, por jo të refuzojnë. Këto çështje kanë filluar të shtjellohen”, ka shtuar ai.

Sipas kreut të Odës së Mjekëve, kuadri i mesëm i mjekëve ka shfaqur hezitimi për vaksinën AstaZeneca, por që ai siguron se rrezikshmëria për komplikime pas marrjes së saj është minimale.

“Çështja e vaksinës te disa më shumë kuadër i mesëm ka pasur hezitime se AstaZeneca nuk është e sigurt dhe unë mendoj që deklarata zyrtare e Agjencisë të Barnave të BE-së ka sqaruar të gjitha dhe është rekomanduar që të merret pasi rrezikshmëria për komplikime është ekstrem e vogël dhe prandaj rekomandimi për punëtorë shëndetësorë dhe popullatën do të duhej të ishte vaksinohuni pasi rreziku është më i madh për komplikime pas infeksionit sesa pas marrjes së vaksinës”, ka thënë ai.

Sejdiu ka bërë të ditur se të dielën është vaksinuar vetë ai dhe nuk ka pasur asnjë problem të shfaqur, raporton EO.

“Unë e kam marrë të dielën dhe kam pas reaksione normale si çdo vaksinim. Edhe vaksina e fruthit jep reaksione dhe normal që ditën e dytë unë kam dalë në punë pa asnjë problem”.

“Normal që do të ishte mesazh negativ, por vetëm kërkesa për qartësim dhe unë besoj që tani kemi një numër më të madh sidomos që është kyçur edhe spitalet rajonale e shtëpitë e shëndetit dhe njëkohësisht edhe sektori privat”, ka treguar ai.

Sejdiu ka paralajmëruar rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19.

“Është në rënie në dukje por se dje është rrit për 100 dhe nuk është rritje e vogël. Mendoj që ne duhet ta presim një rritje mesatare në krahasim me këtë numër, duke pas parasysh që para një jave kanë qenë dy ditë rresht afër 1 000″.

“Normal duke u bazuar se nuk kemi pasur masa restriktive apo edhe ato që kanë qenë nuk janë respektuar apo implemtuar dhe unë mendoj që mund të pritet edhe një rritje e kurbës mbi mesataren normale të këtyre javëve, prandaj nuk duhet të relaksohemi dhe këto masa që janë marrë ndoshta mund ta fusin në kontroll shpërndarjen e mëtutjeshme sidomos kur bëhet fjalë që profesionistët tanë, ekspertet e lëmisë vetëm se kanë ngritur alarmin se varianti britanik është rritë i cili është mbi 70 % më shpërndarës se varianti origjinal”, ka përfunduar Pleurat Sejdiu për EO.

Të ngjashme