Pelosi thërret seancë për të kundërshtuar ndryshimet në Shërbimin Postar

Prishtinë | 17 Gus 2020 | 10:47 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi ka thënë se u ka kërkuar kongresistëve që të kthehen në një seancë për të votuar legjislacionin që do të ndalonte bërjen e ndryshimeve në Shërbimin Postar, pas reformave të prezantuara nga drejtori i këtij departamenti, njëherësh aleat i presidentit amerikan, Donald Trump.

Demokratët, që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë shprehur shqetësime se reformat janë pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar Shërbimin Postar, në kohën kur votimi përmes postës mund të lehtësojë procesin për shumë njerëz që janë të shqetësuar për të shkuar në qendra të votimit, kur të mbahen zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor.

“Në kohë të pandemisë, Shërbimi Postar është Qendër Zgjedhore”, u ka thënë Pelosi kolegëve të saj.

“Jeta, jetesa dhe jeta e demokracisë amerikane po kërcënohen nga presidenti”.

Trump ka nxitur diskutime të mëdha pas kritikave që ka bërë ndaj votimit përmes postës, duke thënë se një gjë e tillë mund të rezultojë me mashtrime.

Ai ka zemëruar demokratët edhe duke zvarritur diskutimet për një paketë të re të ndihmës ekonomike, në mënyrë që të bllokojë procesin e ndarjes së më shumë fondeve për votimin përmes postës.

Megjithatë Trump më vonë ka thënë se nuk do t’i vë veto këtij projektligji për ndihmën ekonimike, në të cilin përfshihen edhe fondet për Shërbimin Postar.

Kritikët e presidentit besojnë se dalja më e vogël në votime mund të rrisë mundësinë e fitores së mandatit të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ndonëse shefi i stafit të Trumpit, Mark Meadows, ka hedhur poshtë këto pretendime.

“Po ju garantoj që tani: Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk do të ndikojë te askush që voton në mënyrë ligjore, qoftë përmes postës apo çfarëdo mënyre tjetër”, ka thënë Meadows për kanalin televiziv, CNN.

Diskutimet për këtë çështje kanë nisur pas zvogëlimit të fondeve për Shërbimin Postar, ndërkohë që miliona amerikanë përgatiten të votojnë përmes postës.

Prej kur ka marrë detyrën në muajin qershor, shefi i këtij shërbimi, Louis DeJoy ka bërë një seri ndryshimesh për të cilat ka thënë se ulin shpenzimet dhe përmirësojnë efikasitetin.

Shërbimi Postar ka paralajmëruar muajin e kaluar zyrtarët zgjedhorë në disa shtete amerikane se me praktikat e reja, ka mundësi që disa vota përmes postës mund të mos numërohen me kohë në zgjedhjet e muajit nëntor.

Në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, presidenti aktual republikan, Donald Trump do të përballet me kandidatin e demokratëve për këtë pozitë, Joe Biden.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme