Petkoviqi i përgjigjet me gjuhë të ulët Bislimit: Në Bruksel dukej më i vogël se një farë lulëkuqe

Prishtinë | 12 Kor 2021 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e ka përqeshur për fizikun e tij zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, duke iu përgjigjur asaj që ky i fundit e shkroi sot në llogarinë e tij në Facebook, raporton Gazeta Express.

“Bislimi thotë se disa institucione paralele duhet të shfuqizohen, në mënyrë që ky të jetë kusht që ata ta formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai nuk përmendi diçka të tillë në Bruksel, ku ishte më i vogël se një farë lulëkuqe”, tha Petkoviq nga Zveçani i Kosovës, ku ka ardhur sot për vizitë.

Ai tha se nuk e ka të qartë se për cilat institucione paralele e ka pasur fjalën Bislimi, raporton “Kosovo Online”.

“Kemi bashkitë dhe institucionet tona këtu, të cilat janë me dekada të vjetra dhe institucionet që janë shekullore dhe kurrë nuk rrezikojmë askënd. Ne jetojmë këtu, njerëzit tanë punojnë këtu, ne duam ta ndërtojmë të ardhmen tonë këtu. Prishtina nuk dëshiron ta formojë Asociacionin, gjen arsye të ndryshme pse nuk do ta bëjë këtë – tani ai thotë se është e nevojshme të shfuqizohen disa institucione paralele, dhe pyetja është se cila do të jetë kërkesa tjetër – a do të jetë kërkesa tjetër që të mos ketë serbë këtu, dhe kur kjo të përmbushet, atëherë të formohet Asociacioni. Unë thjesht pyes veten se kur formohet Asociacioni”, theksoi Petkoviq.

Ai tha se Asociacioni është kushti i Serbisë për ecjen në normalizimin e marrëdhënive me Kosovën.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një kusht i të gjitha kushteve nëse duam të shkojmë më tej. Dhe ne duam normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse pa atë nuk ka përparim ose të ardhme. Ne duam të qëndrojmë këtu dhe të mbijetojmë, kështu që ne jemi të përkushtuar për dialog, të përkushtuar për paqen”, tha Petkoviq.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shkruar sot në Facebook se në takimin që e pati me Petkoviqin të martën e kaluar në Bruksel, e kanë diskutuar edhe çështjen e Asociacionit. Zëvendësi i Albin Kurtit tha se ka kërkuar ndërprerjen e funksionimit të strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, si parakusht që më pas të diskutohet për mënyrën e formimit të një bashkësie për avancimin e të drejtave të minoriteteve.

“Kam konstatuar se këto struktura, Serbia nuk është duke i ngritur pa ndonjë arsye, dhe që ata kanë si synim legalizimin e të njëjtave përmes asociacionit. Poashtu kam shtuar se vetëm atëherë kur në Kosovë të mos funksionojë asnjë strukturë paralele serbe; kur nuk do ketë financim ilegal nga Serbia dhe kur askush në Evropë të mos e kontestojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, mund të ulemi dhe diskutojmë seriozisht për modalitetet më të përshtatshme për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve, natyrisht, nëse edhe vetë minoritet e konsiderojnë këtë të nevojshme, duke përmendur faktin që pas hedhjes poshtë të asociacionit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, asnjë serb i Kosovës nuk protestoi por vetëm Beogradi reagoi”, ka shkruar Bislimi.

Të ngjashme