Policia jep detaje rreth operacionit ku arrestoi 5 persona për “fajde”

Prishtinë | 20 Maj 2019 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas një hetimi të gjatë të iniciuar në fillim të vitit 2018, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, sot ka realizuar një operacion të gjerë policor i cili ka përfshirë rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës.

Operacioni policor i koduar ,,DALLGA” ka filluar në orët e hershme të mëngjesit, nën mbështetjen e Njësive për Reagim të Shpejtë, ku target i veprimeve hetimore dhe bastisjeve kanë qenë shtatë (7) lokacione, prej tyre pesë (5) në regjionin e Prishtinës, një (1) në regjionin e Pejës dhe një (1) në regjionin e Gjakovës.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore janë arrestuar pesë (5) persona, përderisa dy (2) mbeten në kërkim policor:

•             I. O.        viti i lindjes 1964               m/sh/k

•             I. B.        viti i lindjes 1969               m/sh/k

•             A. Th.    viti i lindjes 1979               m/sh/k

•             M. M.    viti i lindjes 1980               m/sh/k

•             Rr. H.     viti i lindjes 1979               m/sh/k

•             E. L.        mbetet në kërkim policor

•             Z. J.        mbetet në kërkim policor

Personat e lartcekur janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepra penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’, të cilët vite më parë kanë pasur qëllim përfitimin në mënyrë të kundërligjshme – joproporcionale të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme (dy shtëpi në Prishtinë, një objekt, automjete dhe para).

Vlera e përgjithshme e përfituar në mënyra kundërligjore dyshohet/vlerësohet mbi 2.5 milionë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar dyshohet se tejkalon vlerën prej 6 milion euro.

Në cilësi të provave materiale gjatë operacionit policor janë sekuestruar:

•             para të gatshme prej 10,250.00 €,

•             dokumente të ndryshme, kontrata të ndryshme të shitblerjeve,

•             telefona (tre Iphone X, një Iphone X Max, një Iphone 8, një Samasung,dy Nokia ).

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me aktvendim të tij, pesë (5) personat e dyshuar tanimë të arrestuar dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy (2) personat tjerë janë në kërkim policor.

Të ngjashme