Presidenti i Afrikës së Jugut bën thirrje për heqjen e ndalimeve të udhëtimit ndaj vendit të tij

Prishtinë | 29 Nën 2021 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Afrikës së Jugut ka dënuar ndalimet e udhëtimit të miratuara ndaj vendit të tij dhe vendeve fqinje të shtetit që udhëheqë, për variantin e ri të koronavirusit Omicron.

Cyril Ramaphosa tha se ishte “thellësisht i zhgënjyer” nga veprimi, të cilin e përshkroi si të pajustifikueshëm dhe bëri thirrje që ndalimet të hiqen urgjentisht.

Në fjalimin e tij të dielën, Ramaphosa tha se nuk kishte asnjë bazë shkencore për ndalimet e udhëtimit dhe se Afrika Jugore ishte viktimë e diskriminimit të padrejtë.

Ai gjithashtu argumentoi se ndalimet nuk do të ishin efektive në parandalimin e përhapjes së variantit, shkruan BBC.

“E vetmja gjë që do të bëjë ndalimi i udhëtimit është të dëmtojë më tej ekonomitë e vendeve të prekura dhe të minojë aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur dhe rimëkëmbur nga pandemia,” tha ai.

Tutje u bëri thirrje vendeve me ndalime që “të ndryshojnë urgjentisht vendimet e tyre… përpara se t’i shkaktohet ndonjë dëm i mëtejshëm ekonomive”.

Ramaphosa e përshkroi shfaqjen e variantit Omicron si një thirrje zgjimi për botën në lidhje me pabarazinë e vaksinave – duke paralajmëruar se derisa të gjithë të vaksinohen, më shumë variante janë të pashmangshme.

Nuk ka mungesë vaksinash në vetë Afrikën e Jugut dhe presidenti u kërkoi më shumë njerëzve të imunizoheshin, duke thënë se kjo mbeti mënyra më e mirë për të luftuar virusin.

Mbretëria e Bashkuar, BE dhe SHBA kanë vendosur ndalime të udhëtimit.

Të hënën, Japonia u bë vendi i fundit që rivendosi kufizimet, duke ndaluar të gjithë të huajt të hyjnë në vend nga 30 nëntori.

Omicron është klasifikuar si një “variant shqetësues” nga OBSH dhe dëshmitë e para sugjerojnë se ka një rrezik më të lartë të ri-infektimit.

OBSH ka paralajmëruar kundër vendeve që vendosin me nxitim kufizimet e udhëtimit, duke thënë se ata duhet të kenë një “qasje shkencore dhe të bazuar në rrezik”.

“Me variantin Omicron të zbuluar tani në disa rajone të botës, vendosja e ndalimeve të udhëtimit që synojnë Afrikën sulmon solidaritetin global”. tha të dielën drejtori i OBSH-së për Afrikën, Matshidiso Moeti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme