Presidentja Osmani ka dekretuar anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ

Prishtinë | 30 Kor 2021 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar anëtarin e dytë, Ilir Gashin nga kjo parti në Komisionin Qendror Zgjedhor, raporton Gazeta Express.

Elshani ka shkruar se së bashku me Gashin do të angazhohen për avancimin dhe kredibilitetin e KQZ-së.

“Orvatjeve të pushtetit për ta vjedhur mandatin e PDK’së dhe koalicionit VAKAT në KQZ u erdhi fundi. Me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, u konfirmua ajo çfarë kemi thënë që nga fillimi se kërkesa e pushtetit është e papranueshme dhe në kundërshti me frymën kushtetuese, që garanton përfaqësimin dhe pluralizmin politik. Prandaj sot u dekretua anëtari i dytë i PDK’së, Ilir Gashi me të cilin bashkë do të angazhohemi për ruajtjen dhe avancimin e kredibilitetit të KQZ’së, ruajtjen e secilës votë të qytetarëve që vullneti i popullit të shprehet drejtë e i paprekur nga manipuluesit e zgjedhjeve”, ka shkruar Elshani.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka kthyer përgjigje presidentes së vendit, më 2 korrik Vjosa Osmanit në lidhje me kërkesën e saj për të qartësuar emërimin e dy nga dhjetë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas asaj që thuhet në vendim, “Gjykatës i është kufizuar mundësia që të marrë rol konsultativ apo këshillëdhënës përmes përgjigjes në pyetje të parashtruara para saj, ngase ky rol do të binte ndesh me rolin e saj themelor për vendosjen e rasteve të ngritura para saj”.

“Rrjedhimisht, në vlerësimin e Gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, Presidentja e Republikës nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të “kompetencave kushtetuese”, sipas përcaktimeve të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, dhe për pasojë, Gjykata shpalli kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme bazuar në nenin 113 të Kushtetutës dhe refuzoi kërkesën për caktim të masës së përkohshme bazuar në nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në vendim.

Rreth një muaj e gjysmë më parë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore ka emëruar tetë anëtarë të KQZ-së.

Të ngjashme