Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe OJQ EC Ma Ndryshe nënshkruajnë memorandumin e mirëkuptimi

Prishtinë | 03 Gus 2021 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha dhe drejtori ekzekutiv i OJQ EC Ma Ndryshe, Valon Xhabali, të martën, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për realizimin e aktiviteteve në fushën e trashëgimisë kulturore.

Kjo marrëveshje e bashkëpunimit vjen si rrjedhojë e bashkëpunimeve paraprake në mes të dy palëve për të siguruar trajtimin cilësor dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në territorin e Komunës së Prizrenit. Me këtë marrëveshje palët kanë rënë dakord që të zgjerojnë aktivitetet e tyre për të adresuar dhe përmbushur objektivat e përbashkëta e reciproke, konkretisht me hartimin e Platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit si dhe bashkërendimin e aktiviteteve për shënimin e Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane për këtë vit.

Hartimi i Platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit do të pasqyrojë gjendjen e aseteve të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur, ku do të përfshihen edhe informatat zyrtare për asetet dhe vlerat e ndryshme që posedon kjo qendër historike. Të dhënat e kësaj platforme do të ndërtohen mbi të dhënat e grumbulluara nga viti 2017 dhe të prezantuara në Planin e Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit, që është miratuar në vitin 2020.

Të ngjashme