Qeveria Kurti të tërhiqet plotësisht nga ndërtimi i “Kosovës së Re”

Prishtinë | 21 Shk 2020 | 13:57 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti duhet të heq përfundimisht dorë nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”.

Dadrad Abazi, nga INDEP, i tha Ekonomia Online se po presin nga Qeveria që të publikojë programin qeverisës dhe të kërkojnë një qartësim të qëndrimit të tyre dhe të dalë me opsione se si të ndalohet ky termocentral.

“Ne kemi konsideruar që nuk është e nevojshme vetëm që të parandalohet ky projekt mirëpo edhe të shihet se për çfarë arsye është vepruar deri tani me këtë problem. Tani presim që ata të publikojnë të plotë programin qeverisës dhe të shohim me qartësi që ata janë vërtetë kundër këtij termocentrali”.

“Ne kërkojmë një qartësi të qëndrimit të tyre tani që kanë marrë pozicionet qeveritare dhe i kërkojmë qeverisë së Kosovës që të dalë me disa opsione në lidhje me atë se si duhet parandaluar ky termocentral dhe se si Kosova të anulojë dhe të tërhiqet plotësisht nga ndërtimi i këtij termocentrali”.

Gjatë fushatës të dy partitë VV-ja dhe LDK-ja patën nënshkruar një zotim se nuk do të lejojnë ndërtimin e këtij termocentrali dhe do të tërhiqeshin nga kontrata me kompaninë “Contral Global”.

INDEP po i konsideron hapa pozitiv pezullimin e ndërtimit të hidrocentraleve në Stërpcë dhe anulimin e lejes mjedisore për ndërtime në zonën e mbrojtur të Badocit.

Abazi po konsideron se ky është një hap pozitiv, por që nuk është i mjaftueshëm pasi ministria duhet të ketë parasysh standardet mjedisore para se t’i lëshojë lejet mjedisore për punime në ato zona.

“Ne konsiderojmë që ky është hap pozitiv megjithatë nuk është i mjaftueshëm, çështja e hidrocentraleve është pasojë e mungesës së politikave për një kohë të gjatë në drejtim të promovimit të burimeve të ripërtërishme në mënyrën se si duhet të promovohen ato, ne kemi insistuar për një One-Stop Shop, për investime në burmime të ripërtërishme i cili do të shërbente si një pikë për investitorët që t’i kenë të gjitha dokumentet e kryera dhe vetëm të ofertojnë me ofertat e tyre financiare dhe pastaj të ndërtohen hidrocentrale vërtetë ka kapacitet dhe nevojë dhe në të njëjtën kohë të parandalohej ky degradim mjedisorë i cili i ka ndodhur lumenjve të Kosovës, pikërisht për shkak të një sistemi i cili nuk ka njohur fare standarde mjedisore, por vetëm ka lëshuar licenca pa pasur leje të integruara mjedisore pa i plotësuar të gjitha aspektet mjedisore”.

Abazi shprehet se krahas këtyre vendimeve duhet pasur parasysh edhe mesazhi që u dërgohet investitorëve që ata duhet të respektojnë standardet mjedisore, raporton EO.

“Është shumë e rëndësishme që krahas këtij rishikimi të të gjitha aktiviteteve në funksion të investimeve në burime të ripërtërishme krahas kësaj të është parasysh edhe mesazhi që u dërgohet investitorëve sepse është shumë e rëndësishme në investimet që do të bëhen në të ardhmen në burime të ripërtërishme  të energjisë, nuk duhet pasur një qasje armiqësore ndaj burimeve të ripërtërishme por në të njëjtën kohë duhet respektuar standardet mjedisore”.

Të ngjashme