Reçica: Së shpejti do tu njihet stazhi i punës të dëbuarve me dhunë nga regjimi serb

Prishtinë | 07 Dhj 2020 | 19:31 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të riorganizimit të agjendës legjislative, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar iniciativën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që Projektligji i Punës dhe Pushimit të lehonisë dhe prindëror të miratohet nga Qeveria deri më datën 15 Dhjetor 2020, dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë të punësuarit në Republikën e Kosovës, ka thënë ministri Reçica në një nga televizionet tona kombëtare.

Pra, është një lajm shumë i mirë sepse me ligjin e ri të punës do të adresohen një serë çështjesh, të cilat me ligjin aktual të punës ka pasur shumë paqartësi dhe rrjedhimisht në shumë rast ligji aktual ka pas vështirësi edhe në zbatim. Ndërsa, sa i përket pushimit të lehonisë, që tashmë është në kuadër të këtij Ligji, risia është se, në kuadër të reformave që jemi duke bërë tash e ca kohë, tashmë me këtë ligj për herë të parë ne do të trajtojmë në mënyrë të dinjitetshme rolin e gruas në vendin tonë, ka thënë Reçica.

Ministri Reçica, ka thënë se, ky është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të reformave që kam filluar të ndërmarr si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, në funksion të përmirësimit të infrastrukturës ligjore, për më shumë të drejta për të gjithë punëtorët në vendin tonë e në harmoni me standardet Evropiane të marrëdhënies së punës.

Gjithashtu, ministri Reçica në këtë paraqitje publike, ka folur edhe për punën që është duke bërë dikasteri që ai drejton, rreth Reformës pensionale, ku parashihet të bëhen edhe dy ligje të reja, Ligji unik për pensionet dhe Ligjin për fondin për sigurimet sociale. Mirëpo, ministri Reçica, ka kërkuar nga subjektet politike që kur është në pyetje miratimi i nismave ligjore sektoriale ta lënë anash të bërit politikë me to.

Po ashtu, ministri Reçica ka folur edhe për mjetet financiare që sot me kërkesë të tij, janë ndarë rreth 203 mijë euro për shoqatat e dala nga lufta dhe për Lidhjen e pensionistëve dhe invalidëve të punës, për të cilat ka thënë se kjo është minimumi që ne kemi bërë sot për këto kategori të respektuara, kur e dimë se po ballafaqohen me shumë vështirësi në këtë periudhë pandemie.

Ministri Reçica, po ashtu ka thënë se është duke punuar edhe për plotësim ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, ku ka thënë se me Reformën Pensionale do të eliminojmë shumë padrejtësi që po u bëhen pensionistëve, si dhe do tu njihet stazhi i punës gjithë atyre të dëbuar me dhunë nga regjimi serb gjatë viteve 90-99.

Gjithashtu, ministri Reçica, ka folur edhe për situatën politike në vend, ku veç tjerash ka thënë se NISMA Socialdemokrate në krye me kryetarin Limaj kanë vërë në dispozicion gjithë bagazhin e tyre, në funksion të një unifikimi apo uniteti politik në këto kohë aspak të lehta, sidomos pas zhvillimeve të fundit me Gjykatën Speciale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme