Rusia kërkoi largimin e trupave të NATO-s nga Bullgaria, vjen reagimi nga kryeministri bullgar

Prishtinë | 21 Jan 2022 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, tha se vendi i tij vendos për planet e mbrojtjes në bashkërendim me aleatët e vet në NATO, pasi Rusia tha se në mesin e kërkesave të saj për siguri përfshihet edhe tërheqja e trupave të aleancës ushtarake nga Bullgaria dhe Rumania.

“Bullgaria është shtet sovran, i cili e ka bërë zgjedhjen e vet para një kohe të gjatë për t’u bërë anëtar i NATO-s. Si e tillë, vetëm ne vendosim për ta organizuar mbrojtjen e vendit tonë në bashkërendim me partnerët tanë”, tha kryeministri bullgar para deputetëve.

Ai tha se NATO-ja nuk ofron kategori më të ulët të vendeve anëtare për të cilat mbrojtja kolektive duhet të zbatohet në mënyrë selektive ose në masë të kufizuar, shkruan Reuters.

Moska ka kërkuar garanci të detyrueshme ligjërisht se NATO-ja do ta ndërpresë zgjerimin dhe do të kthehet në kufijtë e vitit 1997. Bullgaria, që ishte njëra ndër aleatet më të ngushta të Rusisë gjatë Luftës së Ftohtë, është anëtarësuar në NATO në vitin 2004.

Agjencia ruse e lajmeve, RIA, citoi një burim nga delegacioni rus të ketë thënë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mund të zhvillojnë një takim tjetër muajin e ardhshëm për të diskutuar rreth kërkesave të Moskës për garancitë e sigurisë. Ky raportim erdhi pas takimit të kryediplomatëve Blinken e Lavrov të premten në Gjenevë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme