Sërish protesta në ShBA, pas vrasjes së një personi me ngjyrë gjatë një ndalese trafiku

Prishtinë | 12 Pri 2021 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Protestat kanë shpërthyer sërish pranë qytetit Minneapolis në SHBA, kjo pasi policia qëlloi për vdekje një person me ngjyrë në një ndalesë trafiku.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, burri është identifikuar nga të afërmit si 20-vjeçari, Daunte Wright.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i cili tha se ai ishte duke e “monitoruar nga afër situatën”, dhe po lutej për familjen e Wright.

Tensionet në Minneapolis janë të larta, derisa tani po zhvillohet edhe gjyqi i ish-oficerit, Derek Chauvin, i akuzuar për vrasjen e afro-amerikanit, George Floyd, incident ky që ndodhi majin e kaluar.

Qindra njerëz u mblodhën për të protestuar në qytetin e Brooklyn Center të dielën, ku shpërthyen përleshjet me policinë.

Në anën tjetër, ngjarja e afro-amerikanit, George Floyd, i cili vdiq pasi oficeri ia vendosi gjurin në qafë për më shumë nëntë minuta, nxiti protesta në shumë vende të botës kundër racizmit.

Policia thotë se personi vdiq në vendin e ngjarjes.

Autoritetet deklaruan se oficerët e ndaluan një person për shkelje trafiku të dielën, para se ta përcaktonin se ndaj tij kishte një urdhër arresti.

Burri u kthye në automjetin e tij dhe një oficer gjuajti me armë, sipas një deklarate nga Shegi i Policisë së Brooklyn Center, Tim Gannon. Ai më pas voziti me veturën e tij në disa blloqe para se ta godiste një automjet tjeter.

Policia dhe personeli mjekësor u përpoqën të marrin masa për ta shpëtuar atë pas aksidentit, por burri vdiq në vendin e ngjarjes, tha Gannon.

Ndërkohë, sipas CNN, ende nuk është bërë i ditur zyrtarisht shkaku i vdekjes së tij.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme