ShBA-ja nuk do të japë viza për ata që s’kanë para për sigurim shëndetësor

Prishtinë | 05 Tet 2019 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Imigrantët që aplikojnë për viza amerikane nuk do të mund të hyjnë në këtë shtet, nëse nuk ofrojnë dëshmi se kanë mundësi financiare për ta mbuluar koston e sigurimit shëndetësor brenda 30 ditëve ose që nuk mund ta paguajnë atë vetë. Kjo gjë thuhet në një njoftim zyrtar të nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Rregulli i ri, i cili do të hyjë në fuqi më 3 nëntor, do të zbatohet ndaj personave që kërkojnë viza imigrimi, por jo edhe ndaj atyre që tashmë ndodhen në territorin e Shteteve të Bashkuara. Ky vendim mund të ndikojë te familjet që janë duke u përpjekur t’i sjellin prindërit e tyre në ShBA.

Në njoftimin zyrtar thuhet se imigrantët nuk mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara deri në momentin që ata të kenë të mbuluar sigurimin shëndetësor nga ndonjë kompani apo institucion apo deri të ofrojnë dëshmi se kanë mundësi financiare për t’i mbuluar këto shpenzime në mënyrë private.

Administrata e presidentit Trump po përpiqet të zhvendoset nga një sistem imigrimi të bazuar në lidhje familjare në një sistem të mbështetur në merita dhe njoftimi i së premtes është një lëvizje tjetër për ta kufizuar qasjen e imigrantëve në programet publike.

Presidenti Trump e ka vënë zvogëlimin e imigrimit ligjor dhe ilegal në qendër të mandatit të tij. Zyrtarët e Shtëpisë së bardhë kanë thënë se vetëm 18 mijë refugjatë do të mund të strehohen në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2020.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme