Shpenzimet botërore në teknologji arrijnë në 1.69 miliardë dollarë

Prishtinë | 17 Tet 2019 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Duke filluar nga abonimet telefonike, dronët, kompjuterët dhe telefonat e mençur, konsumatorët do të shpenzojnë në vitin 2019 mbi 1.69 miliardë dollarë në nivel botëror apo 5.3 për qind më shumë krahasuar me vitin 2018.

Të dhënat bëhen të ditura nga analistët International Data Corporation dhe sipas hulumtuesve, blerjet e konsumatorëve në teknologjitë tradicionale dhe ato në zhvillim do të mbeten të qëndrueshme në periudhën 2019–2023, me një normë rritje vjetore 5.1 për qind.

Kjo shifër është e destinuar të rritet dhe do të kapërcejë dy miliardë dollarë në vitin 2023.

Në nivel gjeografik, këtë vit, amerikanët do të shpenzojnë 412 miliardë dollarë në pajisje teknologjike apo një rritje prej 5.5 për qind krahasuar me vitin 2018. Kina do të jetë tregu i dytë i madh, me 328 miliardë, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 227 miliardë dollarë.

Duke parë llojet e pajisjeve, më shumë se gjysma e shpenzimeve botërore shkon në shërbime të telefonisë, ndjekur nga telefonat e mençur dhe kompjuterët. Nëse këto kategori zënë pjesën e luanit, rritja më e madhe do të regjistrohet në teknologjitë në zhvillim.

Në pesë vitet e ardhshme, rritjen më të madhe të shpenzimeve do ta zënë pajisjet si syzet për realitetin virtual, sistemet robotike, dronët dhe shërbimet “on demand”, pajisjet wearable dhe ato për shtëpinë inteligjente. Këto pajisje do të regjistrojnë një normë rritje vjetore prej 13.2 për qind deri në vitin 2023 kur do të përfaqësojnë një të tretën e shpenzimeve teknologjike në total.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme