Sipas Daçiqit, shqiptarët e kanë opsesion “ta marrin veriun” e Kosovës

Prishtinë | 13 Mar 2019 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Beograd, 13 mars – Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i tha sot TV Pink të Beogradit se Prishtina me veprimet e veta e ka mbytur dialogun dhe shfaqi drojën se autoriteteve të Prishtinës do të mund t’i bie ndërmend që të provojë pushtimin e veriut të Kosovës me forca ushtarake, transmeton Koha.net.

Sipas tij, veprimet e Prishtinës çuan te ndërprerja e plotë e dialogut, ndërsa qëndrimi i Beogradit është se ai mund të vazhdojë vetëm kur të hiqet taksa.

Daçiq ka shtuar se “në këtë kohë të arsyes së turbulluar politike Kosovës mund t’i shkojë mendja të provojë pushtimin me ushtri të pjesëve që nuk i ka nën kontroll, që është veriu i saj”.

“Kjo na çon nga një vorbull me fund krejtësisht të pasigurt. Prandaj përbën rrezik të madh dhe këtë ua kemi thënë të gjithëve me radhë se veprimet e tilla të Prishtinës janë dëshmi se ata nuk dëshirojnë dialog, por duan të fitojnë jo vetëm gjithë Kosovën si shtet të pavarur, por edhe t’ia bashkëngjesin edhe disa komuna në jug të Serbisë”, ka thënë Daçiq dhe ka shtuar se “me fitoren në Tuz në praktikë realizohet koncepti i Shqipërisë së Madhe”.

Daçiq citohet të ketë thënë po ashtu se Britania e Madhe nuk i dënon veprimet e Prishtinës dhe mbron qëndrimin se nuk ka ndryshim kufijsh. As Gjermania nuk pajtohet për ndryshim kufijsh, por nuk mbështet atë që bën Haradinaj.

Sipas tij, “Britania propozon zgjidhje që vetëkupton se duhet ta njohim Kosovën në kufijtë ekzistues ndërsa veriu i Kosovës të ketë autonomi të gjerë”, transmeton Koha.net.

Në lidhje me, siç e ka quajtur ai, aksionin e Prishtinës “Gishti i Çeliktë”, ministri serb i Jashtëm ka thënë se “duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë krejt mund të ndodhë, por Serbia nuk do të lejojë sulm mbi serbët në veri të Kosovës, meqë (shqiptarët, aludon Daçiq – v.j) e kanë opsesion ta sundojnë këtë pjesë”.

Të ngjashme