S’ka interes për t’i kthyer targat ilegale në RKS

Prishtinë | 01 Tet 2022 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Kanë mbetur fiks një muaj deri kur qytetarët kanë kohë t’i konvertojnë në RKS targat ilegale të automjeteve të lëshuara nga Serbia. Sipas vendimit të marrë nga Qeveria e Kosovës, nga 1 shtatori deri më sot janë regjistruar vetëm nëntë vetura, ku janë konvertuar targat ilagale në RKS.

Kështu kanë konfirmuar përmes një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Numri i regjistrimit të veturave konform vendimit të qeverisë deri me sot ka arritur në 9”, ka thënë në përgjigjen e tyre nga MPB-ja.

E, se çfarë do të ndodhë me ata qytetarë që nuk i kthejnë veturat në RKS pas 31 tetorit kur përfundon edhe afati i vendosur nga Qeveria, në MPB ditë më parë patën thënë për Telegrafin se nuk do të lejohet qarkullimi në territorin e Republikës së Kosovës.

“Ndërsa pas datës, 31.10.2022, siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikë kalimet kufitare”, patën thënë nga MPB-ja.

Ndërkaq, dy javë më parë dy qytetarë të komunitetit serbë janë sulmuar pasi i janë bindur vendimit të Qeverisë për t’i konvertuar targat në RKS.

Sipas informacioneve të publikuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, strukturat ilegale kishin djegur veturën e një oficeri serb, si dhe depon e një qytetari nga Zveçani.

E nëse situata mund të tensionohet sërish në veri, NATO-ja ka deklaruar se është e gatshme të rrisë numrin e trupave në Kosovë.

“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezervë… mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Luca Piperni.

Ndryshe,vendimi për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas incidenteve të armatosura që ndodhën në veri të vendit. Ky vendim për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.  

Të ngjashme