Sot, Kosova shënon Ditën e Presidentit

Prishtinë | 24 Maj 2022 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Shkruan: Faton Bislimi

Sot, Kosova shënon Ditën e Presidentit, një traditë kjo e cila edhe në SHBA shënohet të hënën e fundit të shkurtit. Tek ne, kjo ditë ndërlidhet me 24 majin e vitit 1992, kur pas zgjedhjeve të atëhershme, Dr. Ibrahim Rugova ishte zgjedhë President i Republikës së Kosovës — aspiratës së tij e popullit tonë, e cila do bëhej realitet në plot kuptimin e fjalës vetëm më 17 shkurt 2008! Ai nuk jetoi, fatkeqësisht, ta përjetojë këtë arritje, por ishte pikërisht edhe puna e tij e besimi i pashoq që kishte tek amerikanët që e bënë ëndërron tonë shekullore për Republikë një realitet që e gëzojmë ne sot dhe gjeneratat e tjera pas nesh!

Andaj, në këtë ditë, dua të sjellë në vëmendje figurën e një miku të madh të shqiptarëve, e veçanërisht të Kosovës, një Presidenti të SHBA-ve që ne ndoshta nuk e njohim edhe aq sa duhet.  Por, ishte pikërisht ky President ai i cili i vendosi korrnizat e çështjes së Kosovës në interes të shqiptarëve, ai i cili u morë me Kosovën kur thuaja se askush tjetër në botën perëndimore as që kishte dëgjuar apo donte të dëgjonte për vuajtjet e popullit tonë dhe kërkesat tona legjitime për liri e pavarësi, ai i cili i dërgoi “Kërcënimin e Kërshëndellave” kasapit të Ballkanit duke iu dalë në krah shqiptarëve të Kosovës.

Presidenti George H. W. Bush (Presidenti i 41-të) i SHBA-ve ishte një burrështetas që vendosi Kosovën në agjendën e Shtëpisë së Bardhë! Ishte ky burrë që ia preu petkat Serbisë e Jugosllavisë së asaj kohe pa Kosovën brenda. Ishte ky Presidenti që i dha kahjen e duhur politikës së jashtme amerikane karshi Kosovës, qysh në vitin 1988, gjë e cila mandej u kurorëzua me njohjen e pavarësisë së Kosovës fiks dy dekada më vonë nga biri i tij, Presidenti George W. Bush (Presidenti i 43-të i SHBA-ve).

Por, çka e lidhi Bushin e vjetër me Kosovën? As farë as fis, por një mik i tij personal, e një kongresist i ri që vet Bushi si Zëvendës President e kishe përkrahur për të fituar një garë elektorale në New York që për një republikan konsiderohej e pafitueshme në vitin 1984. Ky kongresisti që fitoi betejën e konsideruar të pafitueshme ishte Joe DioGuardi, bir arbreshi me gjak shqiptari! Ishte pikërisht DioGuardi ai që e këshilloi Bushin mbi Kosovën, dhe kjo dëshmohet në letren e Bushit dërguar DioGuardit në shtator 1988 në të cilën ai e siguron kongresistin se do angazhohej pa asnje hezitim për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi. Kjo letër shënon themelin e angazhimit institucional të Shtëpisë së Bardhë për Kosovën; realisht është baza nga derivoi edhe “Kërcënimi i Kërshëndellave” më 1992.

Siç faktohet tutje edhe në dokumentin e 16 tetorit 1992 (i papublikuar ndonjëherë më parë, të cilin e kam siguruar nga Biblioteka Presidenciale e Bushit gjatë hulumtimeve për librin e radhës), Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë të Bushit merrej ekskluzivisht edhe me Kosovën qysh në atë kohë. Ky dokument tregon fare qartë se ishte politikë e SHBA-ve që Kosova (përmes Rugovës, siç specifikohet në dokument) të mbahej larg nga lufta që kishte kapluar Jugosllavinë asokohe. Amerika nuk e donte përfshirjen e Kosovës në luftë në atë kohë.

Fatmirësisht për ne, Presidenti Rugova kishte besimin e plotë tek amerikanët dhe rrjedhimisht, Kosova nuk u bë viktimë e insinuatave të shumta serbe për luftë në atë kohë. E ky besim e kjo lidhje unike e Rugovës me Amerikën ishte po ashtu rezultat dhe angazhim i drejtpërdrejte i Kongresistit DioGuardi, i cili bashkë me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, kishin futur çështjen e Kosovës në qarqet vendimmarrëse amerikane!

Është e kuptueshme se për publikun e gjerë shqiptar, emrat e Presidentëve Wilson e Clinton, janë më të spikaturit — për arsyeje të ngjarjeve të kohës — i pari siguroi ekzistencën si vend i pavarur për Shqipërinë, e i dyti udhëhoqi betejen e NATO-s për çlirimin e Kosovës.

Por, nuk duhet harruar asnjëherë emri dhe puna e Presidentit George H. W. Bush, mikut personal të DioGuardit, Presidentit të SHBA-ve që vendosi Kosovën në agjendën e Shtëpisë së Bardhë dhe rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë pas rrënjës së komunizmit.

Jemi aq me fat që kemi këso lidhjesh historike e të fuqishme me SHBA-të sa që shpeshherë druaj se nuk e kuptojmë mirë sa duhet domethënien e saj.

Urime Dita e Presidentit!

Të ngjashme