Suspendohet polici kosovar pasi kërkoi pagesat e shujtave, ka disa fjalë për pushtetin e Kurtit

Prishtinë | 05 Shk 2022 | 10:32 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari policor, Amir Hoxha është suspenduar nga puna përkohësisht në një periudhë prej tre ditësh. Krejt kjo pasi pak ditë më parë bëri një reagim në rrjete sociale, ku shprehu pakënqësitë rreth mospagesës së shujtave për policët.

Ky i fundit, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se suspendimi i tij vjen me pretekstin se ka kryer vepër penale, apo shkelje diciplinore, përcjell Demokracia.com.

“Suspendimi vjen me pretekstin se unë kam kryer veper penale apo shkelje të rëndë disciplinore , e që me sa dij unë me njohurinë time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës ” fjala e lire apo shprehja e nje paknaqesie e cila eshte e bazuar ne ligj” nuk paraqet vepër penale”, ka thënë ai.

Hoxha tutje ka shtuar se qëndron prapa fjalës së tij, dhe ka bërë gati padi për diskriminimin që po u bëhet policëve në lidhje me pagat.

“Edhe njëherë e potencoj se qëndroj prapa fjales sime me ndergjegje dhe me pergjegjësi të plotë prapa postimit tim ne lidhje me diskriminimin e kundërligjshêm që po na behet në pagë, qe per kete edhe kam bere padi ne Gjykaten themelore”, shkroi ai në Facebook.

Zyrtari policor ka kritikuar edhe pushtetin aktual, duke thënë se po e përdor policinë për interesat e saj.

“Mirepo ne kete pike paskna gabuar sepse Pushteti atëherë kur po u lëkundkan interesat e veta elektorale po i goditka edhe instrumentet e veta qe vet i perdor per ruajtjen e qenësisë se po atij pushteti”, shtoi ai.

Hoxha ditë më parë reagoi ashpër pas publikimit të meditjeve që marrin deputetët duke e gënjyer shtetin, e duke marrë para për karburant pasi kinse udhëtojnë nga komuna të ndryshme për në Prishtinë.

“Paratë e shujtave për Policinë , si dhe shtesat për punë jasht orarit nuk jemi duke i marë perkundër se na takojne me Ligj , me arsyetim të mungesës së buxhetit”, deklaronte Hoxha.

Hoxha në reagimin e tij tutje kishte shtuar se rezervat e karburantit të deputetëve të cilët në emër të modestisë dhe gënjeshtrave publike gjatë fushatave politike fituan ulëse dhe privilegje sipas tij janë më primare.

…”por besa s’paskan pas faj se rezervarët e karburantit te deputetëve që ne emër të modestisë dhe gënjeshtrave publike gjatë fushatave politike fituan ulëse dhe privilegje , qenkan më primare. Një polic mund të lihet pa bukë ne kryerje të detyrës ama deputeti pa karburante kurrsesi jo . Turp ju qoftë , prap dora jonë do ju ndëshkojë o të shkretë”, shkroi ndër të tjera ai.

Të ngjashme