Tajvani kundërshton ashpër Pekinin pasi presidenti kinez premton “ribashkimin e plotë”

Prishtinë | 05 Kor 2021 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Presidenti kinez, Xi Jinping, premtoi një “ribashkim të plotë” me Tajvanin, gjë që provokoi një reagim të ashpër të ishullit demokratik, i vetëqeverisur, duke kritikuar “diktaturën” e Partisë Komuniste Kineze.

Tajvani dhe Kina kontinentale janë të ndara me Ngushticën e Tajvanit, e cila është vetëm rreth 160 km e gjerë në pikën e saj më të ngushtë. Partia Komuniste Kineze në pushtet në Pekin nuk ka pasur kurrë kontroll mbi Tajvanin, porse pretendon se ky ishull për të cilin e pranon se është jashtë kontrollit, një ditë duhet të ribashkohet me territorin kinez, bile edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Në një fjalim për nder të 100-vjetorit të Partisë Komuniste Kineze, Xi e quajti “ribashkimin” me Tajvanin një “mision historik të patundur” të partisë dhe një “aspiratë e përbashkët” e popullit kinez. Në përkrahje të kësaj, publiku shpërtheu në duartrokitje.

Këshilli i Çështjeve Kontinentale i Tajvanit sulmoi partinë në një deklaratë pas fjalimit të Xi. Ai tha se partia kishte arritur zhvillimin ekonomik në Kinë, por shtoi se ajo ka goditur demokracinë, ka shkelur të drejtat e njeriut dhe është bërë akoma më diktatoriale brenda vendit.

“Demokracia, liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë parimet thelbësore të shoqërisë tajvaneze-një dallim i madh institucional me anën tjetër të ngushticës,” thuhet në deklaratën e shkruar në gjuhën mandarin, shkruan CNBC.

Këshilli tha se Qeveria tajvaneze mbetet e vendosur për të mbrojtur sovranitetin dhe demokracinë e ishullit. Ai shtoi se populli tajvanez ka refuzuar prej kohësh “parimin një Kinë”, dhe nxiti Pekinin të braktisë kërcënimet ushtarake ndaj ishullit.

“Parimi një Kinë” i referohet konceptit se ka vetëm një Qeveri qendrore kineze-ajo nën Partinë Komuniste në Pekin.

Nën udhëheqjen e Xi, Kina ka pohuar në mënyrë më agresive pretendimet e saj mbi Tajvanin dhe ka pasur shkelje të shumta të zonës së mbrojtjes ajrore të Tajvanit nga aeroplanët luftarakë kinezë këtë vit.

Tajvani është bërë gjithashtu një çështje e diskutueshme midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës. SHBA-ja në vitet e fundit është përafruar me Tajvanin, duke zemëruar Pekinin, i cili konsideron se Tajvani nuk ka të drejtë të ketë diplomacinë e vet.

Kina bën presion mbi vendet e tjera dhe mbi organizatat ndërkombëtare që të mos merren me Tajvanin në mënyrë të pavarur. Në maj, grupi i ekonomive të përparuara,G-7, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri thirrje që Tajvani të lejohet të marrë pjesë në forume të ngritura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Një ish-diplomat i vjetër nga Singapori, Bilahari Kausikan, i tha CNBC-së se Tajvani është pika më e rrezikshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Të ngjashme