Tha se hajnat i kanë vjedhur para në shtëpi, Policia e zë në rrenë gjilanasin

Prishtinë | 11 Gus 2021 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Më, 10 gusht 2021, rreth orës 04:50, ankuesi i S.B. (1989) mashkull, kosovar, ka raportuar se persona të panjohur janë futur në shtëpinë e tij përmes një dritareje të podrumit. Sipas deklaratës së S.B., i janë vjedhur një shumë e konsiderueshme e të hollave.

Siç njofton Policia, njësitet e Hetimeve Rajonale-Gjilan, pasi pranimit të rastit kanë  filluar me veprimet hetimore intensive; intervistimit të familjarëve të ankuesit dhe janë shikuar kamerat e sigurisë që ishin të vendosura në shtëpi. Nga këto veprime hetimore, hetuesit policorë, kanë krijuar dyshime të reja. Prandaj, ‘ankuesi’ është ri-intervistuar nga ana e hetuesve policorë, por tanimë në cilësi të të dyshuarit.

“Gjatë ri-intervistimit i dyshuari S.B., në prezencë të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, pas ballafaqimit me provat e gjetura nga hetuesit policorë,  i njëjti deklaron se rastin ‘vjedhje e rëndë’ e kishte inskenuar pasi që shumën e të hollave në vlerë të konsiderueshme të deklaruar si të  vjedhur, në fakt e kishte shpenzuar në mënyra të ndryshme”, njofton Policia.

“Bazuar në deklaratën e dytë të të dyshuarit dhe provave të qëndrueshme të gjetura nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj S.B. është iniciuar rasti ‘lajmërimi apo kallëzimi i rremë’. Me aktvendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.”

Të ngjashme