U vihet zjarri kontejnerëve nëntokësorë në qendër të Lipjanit

Lipjan | 19 Mar 2021 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

Të premten në mbrëmje në lagjen “Skenderbeu” në qendër të qytetit të Lipjanit persona të paidentifikuar ia kanë vënë zjarrin kontejnerëve nëntokësorë.

Afër tyre gjenden edhe dy kontejnerë të tjerë me mbeturina të cilët fillimisht ishin përfshirë nga zjarri. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë arritur njësia e zjarrfikësve dhe Policia e Kosovës të cilët janë duke e lokalizuar zjarrin.

Rreth kësaj çështje banorët, të cilët kanë dërguar foto dhe video, kanë thënë se Policia e Kosovës duhet t’i kontrollojë kamerat e qytetit për të gjetur kryerësin e kësaj vepre. “Ndezja e kontejnerëve dhe dëmtimi i pasurisë publike sanksionohet me ligj. Prandaj afër kontejnerëve në shumicën rasteve ka edhe vetura të cilat gjithmonë janë të rrezikuara sepse raste të ndezjes së kontejnerëve në qytet ka pasur edhe muaj më parë”, ka thënë Valdet Buja, banor i kësaj lagje.

Edhe në nëntor të vitit të kaluar persona të panjohur ua kishin vënë zjarrin disa kontejnerëve të plastikës në rrugën “Isa Olluri” por deri tani puk janë gjetur kryerësit e këtyre veprave.(Koha)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme