UEFA kërkon ta ndryshojë formatin e Ligës së Kampionëve

Prishtinë | 19 Mar 2019 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Propozimi i UEFA-s do të bënte që ligat vendore t’i zhvillonin ndeshjet në mesjavë, ndërsa ndeshjet e Ligës së Kampionëve të zhvillohen në fundjavë. Këtë propozim e mbështet Andrea Agnelli i Juventusit dhe kryesuesi i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ndërsa Premierliga dhe La Liga e kundërshtojnë iniciativën.

UEFA do të takohet me përfaqësues të klubeve evropiane. Në këtë takim do të diskutohet për të ardhmen e Ligës së Kampionëve dhe garave të tjera evropiane, pas vitit 2024.

Edhe UEFA, por edhe Shoqata e Klubeve Evropiane, kanë bërë të ditur se do të ketë ndryshime të mëdha në shumë gara evropiane, kur të fillojë kalendari i ri, në vitin 2024.

UEFA ka deklaruar se takimi do të jetë një sesion ku do të jepet të gjitha idetë e mundshme, edhe nga përfaqësuesit e këtij organi, edhe nga ata të Shoqatës së Klubeve Evropiane, ku përfaqësohen 232 klube përreth kontinentit.

“Do të ketë një takim. Nuk ka asgjë sekrete për këtë takim do t’i japim idetë tona”, shkruhet në deklaratën e UEFA-s, të dhënë për Reuters.

Një nga propozimet më të bujshme që UEFA e ka dhënë është propozimi që ndeshjet e Ligës së Kampionëve të zhvillohen në fundjavë, ndërsa ndeshjet e ligave vendore të zhvillohen në mesjavë.

Përveç kësaj pritet të diskutohet edhe për ndryshime në fazën e grupeve të kësaj gare prestigjioze evropiane. Agnelli kishte propozuar që në vend se të jenë tetë grupe me nga katër klube, formati të ndryshohet në katër grupe me nga tetë klube.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme