USAID dhuron donacion për gjykatat e Kosovës

Prishtinë | 16 Sht 2020 | 13:23 | Nga Ekonomia Online

Për të krijuar kushtet për mbajtjen e seancave gjyqësore online dhe për t’i plotësuar nevojat e gjykatave dhe të gjyqtarëve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka pranuar sot pajisje teknike nga Programi i USAID për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (JSSP).

U.D. Zëvendës Drejtoresha e Misionit të USAID, Zeinah Salah, tha se USAID do të vazhdojë të mbështesë gjyqësorin e Kosovës duke përmbushur nevojat e tij drejt transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës.

Kryesuesi i KGjK-së, Skender Çoçaj, falënderoi USAID për mbështetjen e vazhdueshme që Misioni ofron për institucionet e Kosovës dhe tha se Këshilli në koordinim me kryetarët e gjykatave dhe me mbështetjen e Programit JSSP, ka filluar me pilotimin e seancave online në disa gjykata themelore.

“Një iniciativë e tillë ka rezultuar e suksesshme, dhe ne mendojmë që në rrethana të caktuara, mbajtja e seancave online është njëra nga alternativat për të ju mundësuar gjykatave vazhdimin e punës. Unë besoj, që tani e tutje me këtë donacion, gjykatat do ta kenë shumë më të lehtë organizimin dhe mbajtjen e seancave online”, tha Çoçaj.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, falënderoi Misionin USAID si dhe Programin JSSP për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke u mundësuar qytetarëve qasje në drejtësi, pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme