Vdes i braktisur legjenda e muzikës shqiptare

Prishtinë | 19 Mar 2019 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Nga Ermal Mulosmani

Para pak ditësh lexova në FB një lajm të trishtë.  Deputeti Luan Rama njoftonte se këngëtari I njohur shkodran, Shyqyri Allushi, ishte goditur nga një ishemi cerebrale dhe ishte shtruar në Spital në Tiranë. Sigurisht, lajmi për sëmundjen e një këngëtari 85 vjeçar nuk është një lajm që do të konsiderohej I rëndësishëm për shumicën e mediave në Shqipëri. Ndoshta diku, ndonjë prej tyre edhe do ta përfshinte në lajmet rutinë,  pa e ditur se kush ishte Shyqyri Alushi.

Në fakt, lajmi nuk ishte se Shyqyri Alushi ishte sëmurë dhe shtruar në spital. Lajmi ishte tjetërkund.

Në fotot që ilustronin tekstin, pashë këngëtarin e ngratë të shtrirë në një shtrat po aq të ngratë, pa hequr as kapelen dhe të mbuluar me shumë batanie…   Dekori I dhomës ishte një çantë e lëshuar nxitimthi  në dysheme, një qese e stërmadhe mbi një tavolinë të vogël dhe krevati në cep.

Në krah kishte serumin dhe dukej I përhumbur… Ishte si një skenë filmi ku regjisori do të theksojë braktisjen totale…

Përveç fotove, deputeti kishte bashkangjitur edhe intervistën e të birit të legjendës shkodrane ku rrëfente vuajtjet e tij për të qenë afër të atit në ditët e tij të fundit. Ai tregonte se, shpesh nuk mundej t’i blinte serumet që duheshin për shkak se ai ishte I papunë dhe nuk mund të përballonte çmimet e shtrenjta me pensionin e babait, veç 140 Euro!

Kaq vlen Shyqyri Alushi. 140 Euro!

Bilbili I muzikës shkodrane, legjenda që për 5 dekada  ishte zëri më përfaqësues I melosit të bukur shkodran, “Artisti I Merituar”, që këndoi “O bilbil më I bukuri I shpendëve” dhe “Pranvera ka nisë me dalë” na la pikërisht në ditët kur Pranvera ka nisë me dalë!

Duke na fshikulluar me vdekjen e tij. Për mosmirënjohjen tonë, për indiferencën vrastare, për braktisjen e pashpirt!

Dashuria jonë nuk do ta shpëtonte Shyqyri Alushin me siguri. Por do ta ndihmonte të shkonte në atë botë I qetë.  Pa brenga dhe dhimbje.

Indiferenca e shtetit shkëlqen mbi gjithçka në këtë trishtim. Ministria e Kulturës kishte shansin t’ia bënte më të lehtë vdekjen. Kryeministri gjithashtu, Bashkia e Shkodrës gjithashtu. Ndoshta edhe kolegë që paguhen në natë sa Shyqi merrte në një vit.

Shyqyri Alushi vdiq pa dashuri. Vdiq I braktisur.

Shpresoj që vdekja e tij ti shërbejë Qeverisë së pari për të tjerë… Arti nuk bëhet vetëm në Tiranë…

PO e mbyll këtë shkrim me tekstin e Luan Ramës për vdekjen e Shyqyri Alushit.

“Shyqyri Alushi sot nuk jeton më, por jeton korrupsioni dhe babëzia shtetërore, jeton mafia e ilaçeve që vret ditë pas dite si dëshmia më tragjike e krimit shtetëror!
U prehsh në paqe Shyq Alushi i Shkodrës!
Le të mbetet kënga jote, përjetësi e emrit dhe mirësisë tënde!
Ngushëllime familjes, të afërmve!
Ngushëllime Shkodrës që të deshi e të nderoi aq shumë!”

Të ngjashme