Vela dhe Gjuriq kapen se cili president ka pasur më shume takime bilaterale

Prishtinë | 05 Gus 2021 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Stafit të Presidentes, Vjosa Osmani, Blerim Vela është përplasur në rrjetin social Twitter me ambasadorin e Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq se kush ka pasur më shumë vizita dhe takime jashtë shtetit, presidentja e Kosovës apo presidenti i Serbisë.

Vela ka shkruar se presidentja Osmani, që nga marrja e mandatit ka zhvilluar dy takime bilaterale në Estoni dhe Austri për të promovuar rrugën euro-atlantike të Kosovës, teksa presidenti serb s’ka zhvilluar vizitë bilaterale jashtë shtetit.

“Që nga marrja e detyrës në prill 2021, presidentja Vjosa Osmani ka pasur dy vizita bilaterale në Estoni dhe Austri për të promovuar rrugën euro-atlantike të Kosovës. Në të njëjtën kohë, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq s’ka pasur vizita bilaterale jashtë. Ai vazhdon ta takojë Dodik-un dhe të nxis tensione në rajon”, ka shkruar Vela.

Në kundërpërgjigjen e tij, Marko Gjuriq i ka quajtur gënjeshtra deklaratat e Velës duke thënë se në pak muaj, Vuçiq ka pasur më shumë vizita sesa presidentja juaj do të ketë në tërë mandatin e saj.

“Nuk është mirë të shpërndahen gënjeshtrat z. Vela. Që nga takimet me Macron, Zeman, Babish, Pahor, Radev, kryeministri Zaev, kryeministri Rama, vizitat në Bahrain, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Bosnje në pak muaj, presidenti Vuçiq ka pasur më shumë takime dhe vizita sesa presidentja juaj do të ketë në tërë mandatin e saj. Si dhe takime multilaterale siç është ai me Sekretarin Gjeneral Jens Stoltenberg. Herën tjetër ndiqe llogarinë e presidentit të Serbisë dhe kurse veten nga ky lloj poshtërimi”, ka shkruar Gjuriq.

Të ngjashme