Anulimin e kyçjes në autostradë, dëmton rëndë qytetarët e bizneset ferizajase

Prishtinë | 06 Mar 2020 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i sotëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të anuluar vendimin përmes së cilës planifikohej të realizohej kyçja e Ferizajt në autostradën “Arbën Xhaferri” sipas Komunës së Ferizajt është i nxituar, i paanalizuar mirë në pikëpamje të efekteve që ka në zonat ku shtrihet ky projekt, madje mbyll rrugët e komunikimit ndëruban e shtetërore të gjithë afarizmit që zhvillohet në Regjionin e Ferizajt.

“Duke qenë i tillë, Komuna e Ferizajt e cila me këtë vendim humb kyçjen si arterie kryesore lidhëse në autoudhën “Arbën Xhaferri” e si lidhje natyrale me autoudhën e kërkuar kjo nga bizneset ferizajase, shpreh shqetësimin për pasojën jashtëzakonisht të dëmshme për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave që paraqet ky vendim. Shto kësaj, me gjithë sigurinë juridike që kishte ky projekt, i cili kishte kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit e aprovimit, të përligjura përmes vendimit të komisionit ndërministror në Qeverinë Mustafa dhe vendimit fuqiplotë të Qeverisë Haradinaj, veprimi i sotëm i Qeverisë aktuale, rrit dozën e pasigurisë për vijimësinë e projekteve me karakter zhvillimor jo vetëm për Ferizajn por edhe mbarë regjionin tonë”, thuhet në komunikatë.

Vendimi i sotëm duhet të rishikohet, analizohet e të nxirren përfundimet adekuate, në të kundërtën mbetja e tij në fuqi, rrëzon përpjekjen shumëvjeçare të deputetëve ferizajas në Kuvendin e Kosovës për këtë projekt, krijon bllokun e mbylljes së ekonomisë rajonale si dhe sheshazi cenon rëndë zhvillimin ekonomik e perspektivën e mbarë Regjionit të Ferizajt.

Komuna e Ferizajt dhe ferizajasit presin që të zgjedhurit e tyre, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga kjo anë, në lartësinë e përfaqësimit të qytetarëve, drejtshmërisë të vendimit që Ferizajt të ketë kyçjen e saj në autoudhën “Arbën Xhaferri”, të bëjnë përpjekje maksimale për frenimin e dëmit që shkakton ky vendim për ekonominë e qytetarët ferizajas.

Të ngjashme