Xhemajli: Portugalia kundërshtari më i lehtë për Zvicrën në 1/8 e finales

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Blerim Xhemajli beson se Portugalia do të ishte kundërshtari më i lehtë i Zvicrës nga të gjithë kundërshtarët e mundshëm në rrethin e 16 më të mirëve në Euro 2020.

Zvicra e siguroi një vend në 1/8 e finales në këtë turne të hënën si njëra nga katër ekipet e renditura më së miri në vendin e tretë.

Por fati nuk i ka buzëqeshur helvetikëve – të cilët po udhëhiqen nga dyshja shqiptare Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka – pasi ata do të përballet me Francën, Gjermaninë, Belgjikë apo Portugalinë në ndeshjen e ardhshme.

Zvicra do ta mësojë kundërshtarin e saj sonte në mbrëmje, pas përfundimit të ndeshjeve të fundit në Grupet e mbetura E dhe F.

Mesfushori shqiptar i Zurich, i cili ka luajtur kundër këtyre kombëtareve të mëdha në kohën kur e përfaqësonte Zvicrën, beson se ish-ekipi i tij kombëtar e ka bindur me lojë në fitoren 3:1 kundër Turqisë, në të cilën Shaqiri i shënoi dy gola të mrekullueshëm.

“Ekipi kombëtar ka treguar shpesh se mund të bëjë gjëra të mëdha kundër kundërshtarëve të mëdhenj. Ndeshja e fundit kundër Turqisë më bën të besoj se ne mund ta arrijmë ëndrrën e madhe më në fund dhe të kualifikohemi në çerekfinale. Kundër Turqisë e pamë që djemtë janë të gjallë dhe nuk i frikësohen askujt”, tha Xhemajli.

35-vjeçari, i cili i ka bërë 69 paraqitje për Zvicrën në karrierën e tij, beson se Portugalia do të ishte kundërshtari më i lehtë për Zvicrën nga kundërshtarët e mundshëm.

“Për mua, Portugalia është kundërshtari më i lehtë nga kundërshtarët e mundshëm, nëse mund të them kështu. Krahasuar me tri ekipet e tjera, ekipi përreth Cristiano Ronaldos nuk më ka bindur mua vërtet. Mendoj se ne do të ishim në një nivel me Portugalinë”, shtoi ai.

Portugalia ende nuk e ka të sigurt kualifikimin në 1/8 e finales dhe do ta kërkojë këtë në përballje me Francën sonte në mbrëmje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme