Zbatimi i MSA-së jo i kënaqshëm, ndikoi dhe ndërrimi i shpeshtë i qeverive

Prishtinë | 13 Shk 2022 | 08:51 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) nga Kosova po vlerësohet jo i kënaqshëm nga njohës të kësaj fushe, teksa e ndërlidhin me mungesën e vullnetit politik dhe ndërrimet e shpeshta të qeverive.

Profesori i integrimeve evropiane, Avni Mazreku, thotë se procesi i zbatimit të MSA-së është i ndarë në tre kapituj: politik, ekonomik dhe juridik, ndërsa shtoi se kjo e fundit është zbatuar në masë jo të kënaqshme. Mazreku për Ekonomia Online tha se kjo nuk ka ndodhur vetëm me fajin e Kosovës, por edhe për fajin e Bashkimit Evropian.

“Pjesa qendrore e marrëveshjes që ka të bëjë me definimin e raporteve kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës është dështim komplet, e kisha quajtur, i mosqartësimit të pozicionit të Bashkimit Evropian në raport me Kosovën, përkatësisht çështje e mungesës së njohjes nga pesë shtete e statusit final të Kosovës”.

“Gjithashtu, ne flasim për shuma marramendëse, për miliona që orientohen në investime në sektorë, politika të caktuara sektoriale, por efektet e këtyre fondeve jo gjithmonë vërehen sikur ishte dashur”, u shpreh Mazreku.

Sa i përket përafrimit të legjislacionit të Kosovës me Bashkimin Evropian, Mazreku tha se nuk është mjaftueshëm në funksion të zbatimit të MSA-së. Ai ka folur edhe për ambiciet e Kosovës për të marrë statusin kandidat dhe për anëtarësim në BE.

“Të gjithë e dimë që një shtet nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian kurrë, përderisa ekziston qoftë edhe një shtet i vetëm që nuk e ka njohur atë shtet. Prandaj është ambicie imagjinare e Kosovës me mendu që anëtarësohet në Bashkimin Evropian, pavarësisht që ka një Marrëveshje për Stabilizim Asociim, pa u njohur nga të pesë shtetet”.

“E dyta vetë teksti i marrëveshjes nuk e njeh statusin e palës kontaktuale, nuk e njeh subjektivitetin juridik ndërkombëtar të Kosovës, rrjedhimisht ky është një hap që duhet të ndodhë nga ana e vetë Bashkimit Evropian”.

“BE-ja thotë se shtetet e kanë vullnet të lirë njohjen e shteteve të tjera. Kjo nuk është krejt e vërtetë, për shkakun se mekanizmat e BE-së, siç është Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian e mekanizmat e tjerë institucionalë duhet të përdorin atë që quhet ‘Fuqi e butë’ te shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Shtetet që nuk a kanë njohur Kosovën jo vetëm që po i bëjnë dëm Kosovës po ato po e dëmtojnë në esencë procesin e zgjerimit të BE-së”, ka thënë Mazreku.

Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL” tha se Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së në aspektin legjislativ dhe zbatues është përmbushur përgjysmë.

Hoxha tha se çështja e zbatimit të MSA është e lidhur me mungesën e vullnetit politik për t’i dërguar disa çështje përpara. Ai tha se kjo mungesë e vullnetit ka ndikuar që një numër i madh i nismave legjislative të mos kalohen dhe të ulet përqindja e zbatimit të MSA-së.

“Për shkak të ndryshimeve të shpeshta të qeverive ka ndodhur që mos të ketë vazhdimësi… Një projektligj ka shkuar në fazat finale, por është ndërruar qeveria dhe ai ligj është kthyer në fazën fillestare dhe kjo ka ndikuar që një numër i madh i veprimeve të nisura nga qeveritë të kategorizohen si të papërfunduara”.

Sipas tij, edhe qeveria aktuale ka një agjendë legjislative goxha ambicioze, por së paku në vitin 2021, ka pasur një nivel jashtëzakonisht të ulët të përmbushjes së planit legjislativ. “Një prej sfidave mbetet edhe Plani Kombëtar i Zbatimit të MSA-së sa i përket legjislacioneve. Ndërsa pjesa tjetër ku ka të bëjë me rregullime të brendshme edhe me çështje të tjera. Duket që ka një qeveri stabile dhe i ka numrat që do të mund t’i qonte përpara disa prej tyre”, u shpreh Hoxha, për EO.

Hoxha thekson se Kosova në të kaluarën ka pasur mundësinë që të tërheqë miliona euro nga BE-ja, por nuk ka arritur. “Për këtë periudhën 12-mujore ka qenë e paraparë vlera totale e masave diku në vlerën e 47 milionëve, prej të cilat 44 milionë janë vetë nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër është kryesisht nga BE-ja. Pra është një shumë e cila na ndihmon si shtet për t’i tejkaluar këto sfida dhe për t’i implementuar një numër të madh të masave. Mirëpo nuk do të duhej të ishte motivacioni ynë kryesor humbja e parave, por si shfrytëzohen pastaj ato para është çështja kryesore”, ka thënë Hoxha nga Lëvizja “Fol”.

Të ngjashme