Zhegrova zgjidhet lojtari më i mirë i javës në Zvicër, pas paraqitjes mahnitës kundër Sionit

Prishtinë | 04 Gus 2021 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Edon Zhegrova është zgjedhur lojtari më i mirë i javës së dytë të Superligës së Zvicrës, pas një paraqitjeje të shkëlqyeshme në fitoren e Baselit kundër Sionit në fundjavë.


Përfaqësuesi i Kosovës Zhegrova e shënoi golin e parë të sezonit në ligën elitare zvicerane dhe i dhuroi edhe dy asiste për t’i ndihmuar Baselit ta dërrmojë 6:1 Sionin në St. Jakob-Park të dielën.

Liga e Futbollit e Zvicrës e zgjodhi prishtinasin më të mirin e javës së dytë në futbollin elitar në vendin helvetik.

“Çfarë paraqitje nga Egon Zhegrova në javën e dytë – fuqishëm!” shkroi faqja zyrtare e ligës zvicerane të mërkurën, në njoftimin se kosovari u zgjodh lojtari i javës.

Ajo ishte ndeshja e tij e parë si titullar këtë sezon, pasi në ndeshjen e kaluar ishte futur nga stoli në lojë për të asistuar në fitoren e Baselit 2:0 kundër Grasshoppers në ndeshjen debutues në sezonin e ri në ligë.

Aq madhështore ishte paraqitje e tij – një gol, dy asiste dhe tetë pasime kyçe – saqë kompania e të dhënave të sportit, SofaScore, e vlerësoi me notën maksimale, 10.

Kjo nënkupton se ai është futbollisti i parë kosovar që vlerësohet me notën 10 nga SofaScore.com.

Ai është asistuesi më i mirë në Superligë pas dy xhirove të para me tri asiste.

Zhegrova do të shpresojë se ky do të jetë një sezon depërtues për të, për t’i ndihmuar ta bëjë hapin e radhës më të madh në karrierë, pas disa sezoneve të kaluara të vështira.

Ai nuk është ftuar as nga Kosova në disa ndeshjet e fundit por nëse e vazhdon të bëjë paraqitje kaq të shkëlqyer edhe në javët në vazhdim, trajneri i dardanëve Bernard Challandes do ta ketë të vështirë ta mënjanojë 22-vjeçarin.

Kosova do t’i zhvillojë tri ndeshje vendimtare kualifikues për Kupën e Botës 2022 në shtator dhe shërbimet e prishtinasit mund të jenë të nevojshme, veçanërisht duke ditur se Arbër Zeneli e ka lënduar gjurin rëndë dhe do të mungojë rreth gjashtë muaj.

Verdhekaltrit e vizitojnë Gjeorgjinë më 2 shtator, para se ta presin Greqinë dhe Spanjën në Prishtinë në tri takimet e saj vendimtare në Grupin B.

Kosova është ende pa fitore dhe pa pikë, pasi i humbi dy ndeshjet e para ndaj Suedisë dhe Spanjës. Grupit i prijnë Spanja me 7 pikë dhe Suedia me 6. Greqia i ka 3 dhe Gjeorgjia 1.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme