Ambasada e Amerikës në Kosovë i fton qytetarët të votojnë

Prishtinë | 17 Tet 2021 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Ambasada amerikane në Kosovë përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim.

“Vendimet e tyre – pavarësisht nëse i jepni përparësi shkollave, punimeve në rrugë, transportit publik, grumbullimit të plehrave ose projekte të tjera, ndikojnë në cilësinë e jetës tuaj çdo ditë. Mos e humbisni rastin tuaj për të bërë të njohur zërin tuaj”, thuhet në njoftim.

Në Kosovë të drejtë vote kanë 1 milion e 885 mijë e 448 persona në zgjedhjet lokale të dielës së këtij 17 tetori.

Ndërsa për herë të parë në këto zgjedhje do të votojnë 41 mijë persona.

Por, gjatë këtyre zgjedhjeve do të kenë të drejtën e votës 90 mijë e 586 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të po këtij viti.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë territorin e Kosovës është 883, me gjithsejtë 2 mijë e 477 vendvotime.

KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 89 subjekteve politike (32 parti politike; 1 koalicion; 33 iniciativa qytetare; 23 kandidatë të pavarur) dhe 552 kandidatëve të tyre.

Mirëpo, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit është 5 mijë e 364 kandidatë, ku nga të cilët 166 kandidatë për kryetar të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.

KQZ ka njoftuar se për Kryetarë të Komunave janë shtypur gjithsejtë 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për Kuvende Komunale janë shtypur po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve është 3 milion e 397 mijë e 200 fletëvotime.

KQZ-ja, ka shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se sa ka votues apo në përqindje 9,91%. Kjo sipas tyre është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Fletëvotimet për zgjedhjet e 17 tetorit

Në zgjedhjet e fundit, ato parlamentare (të 14 shkurtit 2021) KQZ-ja kishte shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve.

Të ngjashme