Baton Haxhiu: Garë e barabartë në Podujevë dhe Vushtrri

Prishtinë | 14 Nën 2021 | 16:56 | Nga Ekonomia Online

Baton Haxhiu ka zbuluar disa detaje interesante nga matjet e deritashme për Exit Poll-in, rezultatet e të cilit do të tregohen ekskluzivisht në T7, menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00.

Haxhiu tha se në Prishtinë ka një ritëm të daljes në zgjedhje, derisa shtoi se votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dalin më herët në vendvotime.

“Prishtina e ka pasë një ritëm të daljes. Duket se është një frymë e të jetuarit. Lidhja Demokratike del që në mëngjes, i bie që ka të bëjë me një gjeneratë tjetër. Edhe për Podujevën është njëjtë”, tha Haxhiu në intervistë me Arsim Lanin.

Ai tregoi se në Gjakovë numri i anketuarve ka kaluar gjysmën e totalit që synohet.

“Ne vetëm si procedurë po mundohemi me ju treguar se si duket kjo në kohë të rregullt. Komunat që i kemi në sondazh… Në Gjakovë p.sh., kemi kaluar te 296 anketa. gjakova me 500-550 anketa mjafton për ta pasë gabimin vetëm 1%”, tha Haxhiu.

“Pastaj mund ta kapim Vushtrrinë. I ka 260 anketa për momentin dhe është rezultat shumë interesant”, deklaroi Haxhiu, duke theksuar se atje po zhvillohet “një garë goxha e barabartë”.

Për Podujevën, ka një përafrim të rezultatit, thotë Haxhiu.

“Podujeva e ka pasur një gjë interesante. Ka pasur një fjetje të Lidhjes Demokratike për dy orë. O kanë dalë me shumicë dhe pastaj ka një pauzë, por ka një përafrim të rezultatit atje”, tha Haxhiu.

Sipas Haxhiut, në dy komuna gara duket e mbyllur, ndërsa në 5 komuna të tjera tha se do të bëhet ‘luftë’ deri në fund.

“Katër komuna janë për mua.. Dy komuna besoj se janë të përfunduara, kurse 5 të tjera janë në garë deri në momentin e fundit”, tha ai.

Për dy orë e gjysmë, Haxhiu tha se ka pasur një dalje të vogël të votuesve të LDK-së në Podujevë.

Për Prizrenin, Haxhiu thotë se do ta vendosin votat e minoriteteve.

“Prizreni gjithmonë e ka një përcaktim të rezultatit mbasi të hyjnë votat e minoriteteve. Unë e kam lutur ekipin që të jetë pranë vendvotimeve”, tha Haxhiu.

Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00, qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin Exit Poll-in e rezultateve për balotazhin e 14 nëntorit. Exit Poll-i i realizuar nga “Albanian Post” do të transmetohet ekskluzivisht në T7, në edicionin special të zgjedhjeve lokale 2021.

Të ngjashme